Ministri i Financave

Murati: Inflacioni e preku edhe Gjermaninë, SHBA-të, jo vetëm Kosovën

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në tentim për të shfajësuar Qeverinë e Kosovës për situatën e ekonomike në vend, gjegjësisht për inflacionin, i cili u konsiderua historike meqë arriti në nivelin e 13 për qindëshit, potencoi se kjo dukuri e ka prekur edhe Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shumë vende të tjera të zhvilluara.

“(Inflacioni) është diçka çfarë ka ardhur nga jashtë, pra nuk ka qenë Qeveria përgjegjëse për inflacion, përkundrazi si rezultat i masave të qeverisë kemi pasur inflacionin më të ulët në krahasim me shtetet e tjera të rajonit”, ka thënë Murati në një intervistë për KTV ndërsa ka prezantuar disa të dhëna të Forumit Monetar Ndërkombëtar.

Murati ndërsa numëroi disa nga arsyet, sipas tij, që kanë shkaktuar nivelin e lartë të inflacionit në vend, potencoi se situata pas pandemisë së COVID-19 në Kosovë ka rritur kërkesën përtej asa që ka qenë në ofertë gjë që ka ndikuar në përkeqësimin e situatës me inflacionin në vend.

“E dyta ka qenë problem Kanali i Suezit, një bllokadë disa ditore që ka shkaktuar ngecje e zvarritje dhe një presion mbi çmimet e larta. Dhe e treta ka qenë lufta në Ukrainë, kapaku i të gjithave, duke shkaktuar çrregullime, qoftë në tregun energjetik, apo edhe në produktet bazë si vaji, gruri dhe mielli”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë situatë, Murati tha se Qeveria e Kosovës nuk qëndruar duart lidhur, por ka vepruar duke tentuar ta lehtësojë situatën.

Duke folur për punën e Qeverisë në raport me luftimin e inflacionit, Murati e përmendi Ligjin për Çmimet Tavan, të cilën Gjykata Kushtetuese e shpalli jo-kushtetuese.

Për këtë arsye ai kritikoi Gjykatën Kushtetuese duke thënë se e ka rrëzuar ligjin në fjalë me “argumente të kota”.

“Ligji për çmimet tavan synonte të vendoste tavan të marzhës së fitimit, jo për të punuar me humbje biznesi, por të caktonte marzhën e fitimit e të mos fitojnë më tepër se sa duhet në kohë krize. E çoi opozita në Kushtetuese. Ligjin për çmime tavan e rrëzoi Kushtetuesja me argumente totalisht të kota”.