Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani që kërkoi nga Qeveria t’i heqë tarifat ndaj importeve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se kërkesa e presidentes u bë publike në mediat sociale vetëm tre minuta pasi iu dërgua Qeverisë.

“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.

E Murati ka thënë se “shteti serioz këto çështje i trajton larg mediave “dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi”.

“Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar tutje ai.