Murati demanton Kurtin: Je në marrëdhënie pune, nuk ke si e merr pensionin e veteranëve
Valon Murati, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, ka reaguar rreth çështjes së pensioneve të veteranëve, duke thënë se jo të gjithë i marrin nga 170 euro.
Murati, përmes një postimi në Facebook, ka shtuar se, këtë shumë në vlerë prej 170 eurove e marrin vetëm ata veteranë që nuk janë në marrëdhënie pune, shkruan lajmi.net.
“Disa pohime, pa u vërtetuar asnjëherë shndërrohen në të vërteta absolute në opinionin publik. Një prej tyre, e që është pjesë e kryqëzatës kundër luftës çlirimtare dhe bartëses së saj kryesore UÇK-së e rrjedhimisht njerëzve të saj, është pohimi se të gjithë veteranët luftëtarë marrin pensionin prej 170 eurove. Kjo nuk është e vërtetë, sepse këtë shumë e marrin vetëm ata veteranë që nuk janë në marrëdhënie pune”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka komentuar deklaratën e Kurtit, i cili ka treguar se nuk ka marrë kompensim si ish i burgosur politik e as si veteranë.
Murati për këtë deklaratë të kryeministrit Kurti, të cilën e ka cilësuar si “lavdërim” ka thënë se, pensionin e veteranit nuk ka si e merr pasi që kryeministri ka pagë të rregullt.
“Kryeministri Kurti sot u paska lavdëruar se nuk e ka marrë kompensimin si ish i burgosur politik e as atë të veteranit. Bravo i qoftë për të parën, ama këtë të dytën nuk ka si e merr sepse ai është në marrëdhënie pune dhe ka pagë të rregullt. Nëse e ndryshon ligjin dhe u ofron kompensim të gjithë veteranëve, atëherë mund të lavdërohet edhe për atë pjesë. Përndryshe, kështu si e tha, bëhet pjesë e diskursit që mjegullon opinionin për kompensimin ndaj veteranëve”, ka përfunduar Murati.