Mungon prokurori dhe i akuzuari, përsëri shtyhet gjykimi për vjedhje pylli

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sërish është shtyrë seanca ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli, Pajtim Goxhufi.

Shkak i shtyrjes së gjykimit ishte mungesa e prokurorit të shtetit, për të cilin gjykatësi Agim Kuçi tha se fletëkthesa nuk është kthyer dhe nuk dihet nëse është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ai nuk e ka përmendur emrin e prokurorit që ka munguar, mirëpo aktakuzën e ka përpiluar prokurori Hivzi Bajraktari, por që nuk dihet nëse ai edhe e përfaqëson atë.

Po ashtu, në këtë seancë ka  munguar edhe i akuzuari Pajtim Goxhufi për të cilin në seancën më 10 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës ishte kërkuar sjellja e tij me detyrim, por që kjo urdhëresë e gjykatës nuk ishte realizuar.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Kuçi ka njoftuar se seanca shtyhet në kohë të pacaktuar, derisa Policia e Kosovës të njoftojë gjykatën lidhur me të akuzuarin Goxhufi.

Edhe seanca e 10 dhjetorit 2019, kishte dështuar për të njëjtën arsye.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10 prill 2012, me qëllim të vjedhjes në pyllin të cilin e qeverisë Autoriteti Pyjor Komunal në Prishtinë, në vendin e quajtur “Kollqak”, i akuzuari Goxhufi ka prerë 195 trungje të llojit “Bung”.

Bazuar në aktakuzë, me këtë veprim Autoritetit Pyjor Komunal në Prishtinë, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 477 euro.

Prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale “vjedhje e pyllit”, nga neni 285, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, ai akuzohet se edhe më 26 korrik 2012, me qëllim të vjedhjes kishte prerë 105 trungje, të llojit “Bung”, me ç ‘rast të dëmtuarës i kishte shkaktuar dëm prej 477 euro.

Për këtë veprim, i akuzuari Pajtim Goxhufi është ngarkuar me veprën penale “vjedhje e pyllit”, nga neni 285, paragrafi 1, të Kodit Penal të Kosovës.