Në mungesë të të akuzuarit E.F, është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti në rastin ku i njëjti po akuzohet se rrahu gruan e tij me grushte.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit, mbrojtësi i tij, avokati Ajvaz Islami ka thënë se i njëjti gjendet në shtetin e Francës dhe për shkak të punës atje nuk ka mundur të jetë e pranishme në gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tutje ka shtuar se i njëjti ka kërkuar nga gjykata që seanca e sotme të shtyhet për muajin tetor të këtij viti pasi që në atë kohë do të jetë në Kosovë.
Në seancë prezent ishte edhe prokurorja Huma Jetishi.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e radhës u caktua për 12 tetor 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur me 28 gusht 2021, më 13 gusht 2021 rreth orës 07:00, në fshatin Sadovinë e Jerlive, KomunaViti, në shtëpinë familjare, i pandehuri E.F. me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor ka ushtruar dhune në familje duke e lënduar lehtë të dëmtuarën bashkëshorten e tij Sh.F.
Në aktakuzë thuhet se në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme për motive xhelozie, pas një fjalosje pse e dëmtuara teksa po hynte në shtëpi kishte dëmtuar derën, pandehuri i bërtet dhe i kërkon të shkojë tek familja e saj, por e njëjta nuk pranon duke i thënë se do të shkonte në banesë në Ferizaj pasi ishte e përbashkët, mirëpo i pandehuri revoltohet dhe teksa ishin në ballkon te shtëpisë e godet me grusht në fytyrë dhe e dëmtuara me qëllim që ti shmanget hyn në shtëpi, por i pandehuri përsëri në korridor të shtëpisë e godet me grusht në fytyrë dhe e rrëzon për tokë duke dashur ta godas përsëri por teksa mbrohej e njëjta e gjuan me një këpucë dhe e gërvisht, që si pasojë e goditjeve të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore.
Me këtë, i akuzuari ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par.3 nën par.3.1 lidhur me par. 1 nën par. 1.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.







