Seancë

Mungon i akuzuari për arsye shëndetësore, shtyhet gjykimi për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Për shkak se i akuzuari Betim Ismajli mungoi për arsye shëndetësore është shtyrë gjykimi në rastin ku i njëjti bashkë me Behare Bajramin, Ardian Hamitin dhe Mimoza Beqirin po akuzohen për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë rast, e pandehura Bajrami po akuzohet edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të njëjtit, mbrojtësi i tij, avokati Naser Sopjani deklaroi se i akuzuari Ismajli nuk mund të prezantojë për shkaqe shëndetësore.

“I mbrojturi im Betim Ismajli për arsye shëndetësorë ku që nga dje është në ndalim mjekësor me infuzione edhe terapi tjetër dhe për kët arsye nuk ka mundësi të prezantoj në seancën e sotme dhe i ofrojmë gjykatës raportin mjekësor bashkë me terapitë e përcaktuara”, tha avokati Sopjani.

I njëjti po ashtu i dorëzoi gjykatës edhe disa raporte mjekësore që i kishte marrë nga familja e të akuzuarit Ismajli.

Në këtë seancë ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit e tjerë me mbrojtësit e tyre, prokurori Halim Borovci dhe dëshmitarët David Bibaj, Drilon Maliqi dhe Edona Sallahu.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty në një datë tjetër ndërsa kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi kërkoi nga avokati Sopjani që të i dorëzonte gjykatës dokumentacione shtesë me konstatim nga mjeku që i akuzuari Ismajli nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën e sotme

Në këtë rast Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami akuzoheshin se së bashku me Ermal Durakun, Anton Jakajn, Daut Ademajn, Ilir Muratin, Rajmonda Osmanin dhe Edona Sallahun kishin kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Lajmërim i rremë” nga neni 390, paragrafi 1 të KPRK-së, mirëpo për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

BONUS VIDEO| Haradinaj për Qeverinë Kurti: Më e korruptuara që ka pas ndonjëherë Kosova