Mungojnë pesë të akuzuar, shtyhet gjykimi për grabitje të mbi 175 mijë eurove

Mungesa e të akuzuarve Leutrim Latifi, Egzon Sheqiri, Kastriot Shala, Ilmi Hajrullahu dhe Artan Sekiraqa, ka bërë të dështojë seanca e paraparë të mbahet këtë të mërkurë në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pesë të akuzuarit bashkë me Etnik Hysenin, po akuzohen për grabitje dhe vepra tjera penale.

Po ashtu, në këtë seancë kanë munguar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Aurora Mulhaxha, Naser Sopjani, Ahmet Gjinovci dhe Sabri Ademi.

I pranishëm në seancën e së mërkurës ka qenë prokurori Hivzi Bajraktari dhe i akuzuari Hyseni, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Neziri.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi për të akuzuarit Latifi, Shala dhe Sekiraqa gjykata ka revokuar urdhrin për sjellje, pasi që sipas tij sot mbrojtësi i akuzuarit Sheqiri e ka njoftuar gjykatën se nuk është i sigurt nëse i mbrojturi i tij do të paraqitet në seancë.

Gjykatësit Foniqi tha se mbrojtësi i të akuzuarit Sekiraqa, avokati Ademi e ka njoftuar gjykatën se ka tërhequr autorizimin dhe se nuk do ta mbrojë mv të akuzuarin Sekiraqa për shkak të mos kryerjes së obligimeve ndaj tij.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është ndërprerë, ndërsa e radhës është shtyrë në kohë të pacaktuar derisa të sigurohet prania e të akuzuarit Sheqiri.

Ndryshe, në këtë çështje penale të akuzuar janë edhe Flamur Grisholli, Fitim Cakolli, Arbnor Rukovci dhe A.B, për të cilët gjykata ka veçuar procedurën penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 mars 2020, Artan Sekiraqa akuzohet se në bashkëkryerje me personat e tjerë NN ka kryer gjashtë vepra penale të grabitjes si dhe një vepër penale të grabitjes në tentativë.

Sipas aktakuzës, Sekiraqa akuzohet se së bashku me personat e tjerë të panjohur, me përdorimin e armëve, më 10 gusht 2018 në Lipjan në “Kep Bank” kanë arritur të grabisin para në vlerë prej 49 euro e 85 centë, më 27 gusht 2018 në rrugën Komoran-Prishtinë në kazinon “Eurogame” kanë marrë rreth 785 euro dhe më pastaj në Lipjan në kazinon “Star Kazino” kanë marrë rreth 1 mijë euro.

Ndërsa, më 29 gusht 2018 thuhet se në Ferizaj në kazinon “Galaxy” kanë marrë kuletat me para në vlerë totale 3 mijë e 380 euro, pastaj në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, në pompën e derivateve “Slovenia Petrol” kanë marrë para në vlerë 1 mijë e 647 euro, cigare në vlerë 377 euro dhe pije në vlerë 19 euro, si dhe më 30 gusht 2018 në Fushë Kosovë, në “Teb Bank” kanë marrë 50 mijë e 696 euro.

Gjithashtu, Sekiraqa akuzohet se së bashku me personat NN më 29 gusht 2018 në Prishtinë në kazinon “Star Club” kanë tentuar që me forcë ta hapin derën e këtij lokali duke e goditur me sëpatë e më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Kastriot Shala dhe Ilmi Ajrullahu po akuzohen së në bashkëkryerje me personat tjerë të panjohur kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë, ashtu që më 12 tetor 2018 në Bankën NLB, në Terminalin Doganor në Podujevë, kanë hyrë brenda të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve dhe pasi që kanë vërejtur policinë kanë ikur nga vendi duke shtënë me armë.

Arbnor Rukovci, Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Egzon Sheqiri akuzohen se më 26 tetor 2018 në Prishtinë në “Teb Bank”, kanë kryer tri vepra penale, atë të grabitjes, armëmbajtjes pa leje dhe zjarrvënies, ashtu që nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar kane hyrë në bankë dhe kanë marr 117 mijë e 265 euro dhe më pastaj janë larguar me veturën e tipit VW Bora, të cilën me pas e kanë djegur me qëllim të asgjësimit të gjurmëve dhe provave.

Po ashtu, Kastriot Shala po akuzohet se në bashkëkryerje me personat NN ka kryer veprën penale grabitje në tentativë ashtu që më 8 maj 2019 në Prishtinë, ai së bashku me tre persona të panjohur, të gjithë të armatosur, i kanë nxjerrë me forcë nga vetura Audi A7 të dëmtuarit Alvis Mehmeti, Meriton Zuka dhe Ndriqim Paqarizi me qëllim që t’ia merrnin veturën, por pasi që dikush kishte bërtitur “policia, policia” ata janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dhe të nesërmen më 9 maj 2019 ata ishin arrestuar nga policia, ku të akuzuarit Shala i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me çka akuzohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Flamur Grisholli, po akuzohet për moslajmërimin e veprave penale apo kryesve të tyre pasi që gjatë vitit 2018 nga data e pacaktuar e deri më 15 tetor, edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e të akuzuarit Kastriot Shala si kryerës i veprave penale, nuk e ka lajmëruar atë.

Fitim Cakolli, A.B dhe Etnik Hyseni po akuzohen se në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale dhënie e ndihmës kryerësve, pas kryerjes së veprave penale.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Cakolli më 15 tetor 2018 e ka thirrë në telefon të akuzuarin Shala dhe i ka treguar se po e ndiqte policia me ç’rast Shala ka arritur të ikë nga policia. E akuzuara A.B nga data e pacaktuar gjatë vitit 2018 e deri më 8 maj 2019 e ka strehuar në banesën e saj të akuzuarin Shala me qëllim që i njëjti të mos arrestohet nga policia.

Ndërsa i akuzuari Hyseni, thuhet më 7 dhe 8 maj 2019 i ka dhënë ndihmë të akuzuarit Shala në shmangien e zbulimit dhe të arrestimit të tij duke ia siguruar automjetin e marrë në rent e me të cilën veturë i akuzuari Shala së bashku me persona të panjohur kishin tentuar që t’ia marrin veturën e tipit Audi A7 të dëmtuarit Ndriqim Paqarizit./BetimipërDrejtësi