Në mungesë të dëshmitarëve Agim Ujkani dhe Sylejman Mustafa, si dhe për shkak se trupi gjykues do të ndryshohet, është shtyrë në kohë të pacaktuar gjykimi për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari tha të enjten po ashtu se ky trup gjykues është e pamundur ta përfundojë këtë shqyrtim gjyqësor, pasi Bajraktari është avancuar në Gjykatën e Apelit.

Andaj, trupi gjykues do të ndryshojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për dëshmitarin Ujkani, gjykatësi Bajraktari tha se mungon për shkaqe shëndetësore, ndërsa dëshmitari Mustafa mungon për arsye familjare.

Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndryshohet masa e paraburgimit me një masë tjetër, me pretendimet se nuk do të largohet nga Kosova pasi që këtu e ka familjen dhe këtu jeton.

Sipas avokatit Vasiq, Trajkoviqit duhej t’i ndryshohet masa e paraburgimit edhe për shkaqe shëndetësore, në mënyrë që ta kishte më të lehtë marrjen e trajtimit mjekësor.

I akuzuari Trajkoviq deklaroi se nuk do të lëshonte kurrë Kosovën edhe sikur të tentonin ta largonin, pasi që këtu e ka familjen.

“Muj me bo be në familje që s’kam nevojë me shku jashtë Kosovës, jeta jem është për mbesën”, tha i akuzuari Trajkoviq.

Por, një propozim i tillë u kundërshtua nga prokurorja Florije Salihu- Shamolli, me arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes.

Më pas, kryetari i trupit gjykues tha se lidhur me propozimin për ndryshim të masës palët do të njoftohen me vendim të veçantë.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty, ndërsa u anulua edhe ajo e paraparë për ditën e nesërme.

“Trupi gjykues merr këtë aktvendim, shqyrtimi gjyqësor shtyhet në afat të pacaktuar ashtu që i radhës do të caktohet pas formimit të trupit gjykues dhe do të ftohen të gjitha palët me thirrje të rregullta”, tha gjykatësi Bajraktari.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi