Mungojnë 11 veteranët e UÇK-së, dështon seanca për protestën e viti 2015

Në mungesë të të akuzuarve dhe në mungesë të provave ka dështuar seanca ndaj 11 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për organizim të protestës në gushtin e vitit 2015-të.

Seanca ndaj tyre është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Gjyqtarja Lumnije Krasniqi tha se seanca e radhës nuk do të mbahet deri sa të sigurohen provat lidhur me pronarin e një veture të dëmtuar, dëmet e të cilës ende nuk dihen.

“Seanca shtyhet për një kohë te pacaktuar derisa të sigurohen prova lidhur me pronarin e veturës dhe dëmin e shkaktuar kësaj veture”, tha ajo.

Mbrojtja e palës së dëmtuar, avokati Bedri Krasniqi tha se nuk është identifikuar i dëmtuari krejt.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, ai tha se do të ketë një parashtresë.

“Në bazë të të dhënave që ka grumbulluar i dëmtuari gjatë protestës së veteranëve sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, objektit të Qeverisë është dëmtuar dera metalike[…]E dëmtuara ka paguar vetëm motorin lëvizës të derës në hyrje që ka vlerë prej 400 euro. Sa i përket veturës me nr të targava 01-183-SL sipas informacioneve që nuk është pronë e jona, nuk kemi informacione se kush është pronari i kësaj veture”, tha ai.

Gjyqtarja obligoi Prokurorin e Shtetit që të verifikojë faktet për të gjetur pronarin e veturës si dhe shumën e dëmit të shkaktuar, gjetja e të cilave do të jetë përcaktuese e kohës për mbajtjen e seancës së radhës.

11 veteranët akuzohen se në protestën e 7 gushtit të vitit 2015 dëmtuan rrethojat e objektit të qeverisë dhe dëmtimin e një veture.