Lajmi i fundit

Mungesa e Listës Serbe lë pezull votimin e ndryshimeve kushtetuese lidhur me vettingun

Kuvendi i Kosovës po mbanë seancën plenare ku po diskutohet për procesin e Vettingut në drejtësi dhe tri amendamentet kushtetues të propozuara për këtë proces.

Pushteti e opozita janë pajtuar me këto tri amendamente, por kanë shprehur kundërshtime sa i përket vettingut.

Pavarësisht pajtueshmërisë pozitë-opozitë për këto amendamente, të njëjtat nuk mund të votohen pasi që duhen edhe votat e Listës Serbe.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, ka theksuar se Komisioni i ka shqyrtuar propozim-amendamentet dhe pas disa ndryshimeve, përfshirë renditjen e propozim-amendamenteve i ka rekomanduar Kuvendit që t’i miratojë.

Ai ka thënë se ka pasur një konsensus politik në Komision për zhvillimin e Procesit të vlerësimit kalimtar ose vettingut.

“Sistemi vuan nga gjyqtarë e prokurorë jo profesionistë. Dikush mund të thotë se ky vetting është jo i plotë se prek vetëm kokat e sistemit por po harrojnë që aty është i gjithë problemi”, ka theksuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, ka thënë se vettingu është proces i pashmangshëm dhe se si grup e kanë mbështetur.

“Asnjëherë si Kuvend nuk duhet të heqim dorë nga ky proces dhe shpresoj që brenda kësaj legjislature të arrijmë ta procedojmë përpara”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se elementi i parë i dhënies së konsensusit për këtë vetting ka qenë element i edukimit politik për pushtetin aktual.

“Në vazhdimësi është parë një tendencë e kapjes së institucioneve nga pushteti. Ne kemi propozuar duke parë parasysh elementet problematike dhe duke parë që është problematike të bëhen ndryshime kushtetuese kemi propozuar të bëhet një sistem i monitorimit të performancës së gjyqësorit dhe prokurorisë”, është shprehur Gashi.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, ka thënë se si parti i mbështesin tri Propozim-amendamentet Kushtetuese për vettingun.

“Për 20 vite është ndërtuar sistemi, të hidhet poshtë gjithë krijimi i këtij sistemi është i pa pranueshme. Mazhoranca mendon se çka do që është e mirë rrjedh nga ta. Politika duhet që të jetë larg. Ne si AAK kemi përkrah këto ndryshim dhe për hir të një konsensusi ne do ti përkrahim por ju e dini që duhet edhe dy të treta të komuniteteve”, ka thënë ai.