Mungesa e kuorumit në Kuvend, opozita: Papërgjegjësi e pushtetit

Deputetët opozitarë e quajnë papërgjegjësi mungesën e kuorumit në Kuvend të deputetëve të shumicës parlamentare, që sipas tyre, edhe po e dëmton punën e legjislacionit. Por, pozita vlerëson se me gjithë mungesat, Kuvendi ka bërë punë të mirë në këtë legjislacion.

Kuvendi i Kosovës vazhdimisht po përballet me mungesa të shumta të deputetëve që si rrjedhojë edhe po e vështirësojnë punën e legjislacionit. Opozita përgjegjëse e bënë shumicën.

Deputetit i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar për Radio Kosovën se deputetët e shumicës duke qenë të papërgjegjshëm, shumë herë e kanë dëmtuar punë e legjislativit.

“Një shumicë e cila e ka votën kualitative dhe e cila pothuajse çdoherë përballet me mungesë të kuorumit, është tregues i qartë se kemi një papërgjegjësi totale ndaj votës së qytetarit dhe ndaj vullnetit të keqpërdorur të qytetarit të Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Mungesën e kuorumit, papërgjegjësi të pushtetit e ka quajtur edhe deputeti i PDK-së, Bekimi Haxhiu.

“Shumë seanca kanë dështuar në mungesë të kuorumit, sepse ndonëse është një koalicion i cili ka marrë më shumë se 50 për qind të votave, në Kuvend nuk janë të përgjegjshëm për të kryer punën për të cilën kanë marrë besimin”, deklaroi Haxhiu.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo legjislaturë që nga fillimi është përballur me mungesa të shumta, derisa tha se kjo duhet të ndryshohet.

“Mungesa e kuorumit është mungesë e përgjegjësisë parlamentare, kjo duhet të ndryshojë dhe duhet që me rregullore të sanksionohet kushdo që nuk merr pjesë në Seancat e Kuvendit”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, është lavdëruar për punën e Kuvendit këtë vit edhe pse ka thënë se ka pasur mungesë të kuorumit që sipas tij, opozita qëllimshëm e ka shkaktuar.

“Mungesa e kuorumit ka qenë evidente, sepse opozita edhe pse ishte në seancë nuk merrte pjesë në votime, prandaj shkaktonte mungesë kuorumi”, ka theksuar Dugolli, raporton RTK.

Mungesa e vazhdueshme e kuorumit në Kuvendin e Kosovës është përmendur edhe nëRaportin e Progresit për këtë vit. Aty theksohet se puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë.

Tutje është thënë se, shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për të avancuar më tej agjendën e reformave të BE-së dhe për të krijuar konsensus rreth reformave të mëdha.