Mungesa e dialogut me Serbinë po e pengon Kosovën drejt BE-së

Kosova, tash e sa vjet synon Bashkimin Evropian. Por njohësit e integrimeve evropiane e zhvillimeve politike, megjithatë rrugës shohin ende sfida për Kosovën.

Që të përparojë në rrugën drejt BE-së, përfshihet patjetër edhe rifillimi i dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës e Serbisë, e cila ka kohë që është zvarritur.

Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Epik, në një përgjigje për Koha.net thotë se janë katër faktorë që e pengojnë procesin integrues të Kosovës. Ai thekson se njëri faktor që po pengon Kosovën drejt këtij procesi, është ngecja në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte pasi që vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, përfshirë edhe liberalizimin e vizave”, thotë ai.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Koha.net se dialogu Kosovë-Serbi, është konsideruar si një mënyrë për tejkalimin e konsolidimit të subjektivitetet ndërkombëtar të Kosovës dhe hapjen e mundësisë për Kosovën për të ushtruar funksionet e tij si shtet me të drejta dhe obligime të barabarta.

Ajo thotë se Kosova ende nuk ka Qeverinë e re e cila një ndër çështjet prioritare të cilat duhet të adresojë është dialogu me Serbinë.

“Në anën tjetër në Serbi në pranverë pritet të ketë zgjedhje të reja që deri në formimin e institucioneve të reja në Serbi nuk pritet të ketë dialog. Gjithsesi janë disa faza që ndërlidhen me proceset e negociatave, dhe para diskutimeve në tryezë patjetër që duhet të ketë një fazë të paranegociatave ku në këtë rast pala kosovare duke bërë një vlerësim të të gjithë procesit deri më tani, duhet të artikuloj qëndrimin e saj, të ndërtoj strategjinë e vet dhe të filloj të lobojë për ta shtyrë atë përpara. Kjo duhet të vije nga një proces i cili ndërtohet mbi bazën e konsensusit të gjerë politik dhe mbi bazën e ndërtimit të qëndrimeve të përbashkëta dhe unike institucionale. Prandaj dialogu si çështje do të jetë aktive në momentin kur do të kemi Qeveri të re ndërsa presioni ndërkombëtar do të shtyj drejtë palëve që të ketë rifillim të këtij procesi gjatë këtij viti”, tha Krasniqi për Koha.net.

Pengesë e dytë, sipas Demush Shashës, është mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Katër vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht, vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës”, thotë Shasha.

Faktor tjetër sipas këtij Instituti, është Raporti i Vendit 2019 që identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit.

“Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell konstatimet e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe institucionet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprimet nën ndikimin politik. Kosova u konfirmua se është vendi i fundit në Ballkan në kuadër të kapitujve të ndërlidhur me sundimin e ligjit – kapitulli 23 dhe 24”, tha Shasha.

Kujtojmë se sot, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nga të cilët ka kërkuar rifillimin e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje.

Në bisedime me ta, Borrelli ka shfaqur gatishmërinë që ai personalisht të vazhdojë të ndërmjetësojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas drejtorit të EPIK, Demush Shashës, në fund, faktori i katërt është mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave dhe procesin e zgjerimit në përgjithësi.

“Brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Po ashtu, mos hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është indikacion i mungesës së vullnetit politik për zgjerimin e mëtutjeshëm të BE-së”, thotë Shasha.

Jeta Krasniqi nga KDI për Koha.net thekson se nuk pritet që të ketë anëtarësim të asnjërit prej shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE gjatë këtij viti, si dhe ka pak gjasa që të ketë anëtarësim të ndonjë shteti në kuadër të këtij mandati të Komisionit.

Ajo thekson se asnjë nga vendet e Ballkanit perëndimor të cilat synojnë anëtarësimin në BE nuk janë të gatshme për t’u anëtarësuar.

“Anëtarësimi është një proces i gjatë i cili kërkon ndërmarrjen e reformave rrënjësore për ta bërë një shtet të gatshëm për t’ju bashkuar BE-së dhe politikave të këtij unioni. Ajo çfarë ne kemi parë është që Franca ka shprehur pakënaqësinë e saj me metodologjinë aktuale dhe Komisioni Evropian është duke punuar për të nxjerr përpara një metodologji të re për negociatat për anëtarësim. Kjo ka stopuar procesin e zgjerimit, që u pa dhe me mos gatishmërinë e Francës për t’i hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut meqë ky vendim duhet të merret nga Këshilli në mënyrë unanime nga të gjitha shtetet”, tha Krasniqi.

Krasniqi nga KDI, thekson se duket e vështirë që Kosova e Serbia të arrijnë të dakordohen brenda këtij viti për një marrëveshje pavarësisht faktit që Kosova nuk ka ende Qeveri.

“Gjithsesi për ne si Kosovë mbetet e rëndësishme që të kemi të qartë çfarë kërkojmë nga ky proces dhe të jemi mirë të përgatitur për t’u përballur me një Serbi e cila është shumë më e fuqishme sesa Serbia e vitit 1999”, përfundoi Krasniqi.