Mundohet t’i shmanget taksës 100%, i akuzuari dënohet me kusht dhe dëbohet nga Kosova

Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin Rifat Kuceviq, për veprën penale “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësit i rastit, Sejdi Blakaj, dënimi me burgim prej gjashtë muajsh ndaj Kuceviq nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vitesh.

Kuceviq gjithashtu, me aktgjykim, është dëbuar nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 2 viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Sejdi Blakaj ka bërë edhe konfiskimin e 175 arkivoleve, ndërsa për kamionin me të cilin ishin bartur ato, prokurori Muharrem Bajrakati është tërhequr nga kërkesa për konfiskimin e të njëjtit.

Sipas prokurorit Bajraktari, kamioni nuk ishte i destinuar vetëm për bartjen e arkivoleve por edhe për nevoja tjera.

Të pandehurit gjithashtu i është ndërprerë masa e paraburgimit e caktuar më 12 prill të këtij viti.

Ndryshe, në fillim të seancës, i akuzuari Kuceviq e ka pranuar fajësinë, duke shtuar se është penduar thellë për veprimet e tij.

Mbrojtësi i tij, avokati Armend Krasniqi deklaroi se klienti i tij e kishte pranuar fajësinë në fazat e mëhershme të procedurës penale, duke kërkuar nga gjykata që ta lirojë kamionin e tipit “Mercedes”, me të cilin ishin bartur arkivolet, me arsyetimin se i njëjti nuk është pronë e të pandehurit.

Prokurori Muharrem Bajraktari u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit dhe bëri tërheqjen për konfiskimit të, me arsyetimin se ai kamion ka qenë për përdorim të përgjithshëm.

Kurse, ai kërkoi nga gjykata konfiskimin e 175 arkivoleve.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 25 prill 2019 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Rifat Kuceviq akuzohet se më 10 prill të këtij viti, rreth orës 15:30, në Stacionin Policor “Kullë” të Komunës së Pejës, me qëllim që vetës t’i mundësoj shmangien nga pagesa e tarifave doganore me rastin e importimit të mallit, doganës i ka paraqitur dokument të rrejshëm lidhur me prejardhjen e mallit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike më kamionin e markës “Mercedes”, në të cilin kishte ngarkuar 175 arkivole me origjinë nga shteti i Serbisë, në vlerë prej 5 mijë e 200 euro, të njëjtat në bazë të dokumentit të rrejshëm “38334”, i deklaron si mallra të shtetit të Malit të Zi me qëllim të ikjes së taksës doganore prej 100% ndaj Serbisë, përkatësisht vlerës së detyrimit prej 6 mijë e 195 euro.

Ndryshe, Taksa prej 100% ishte vendosur më 21 nëntor të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës për të gjitha mallrat dhe produktet me origjinë nga shteti i Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.