Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, foli për kërkesën që e ka parashtruar kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës.
Bahtiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfuqizojë vendimin për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna dhe ribashkimin e qytetit, pas vendimit të pjesës veriore që të ndërpresë komunikimin me Republikën e Kosovës.
“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, që menjëherë të shfuqizohet vendimi për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna. Qyteti i Mitrovicës tani duhet të bëhet me një komunë, ashtu siç ka qenë gjithmonë, ku në këtë situatë unë do të isha kryetar i Mitrovicës së bashkuar”, ka shkruar Bahtiri.
Mujka, në Express Intervistën në KTV, tha se Mitrovica Jugore, përmes seancës që do të mbahet nesër, ditë e premte, do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës ku kërkohet bashkimi i Mitrovicës.
“Mitrovica u nda gabimisht në atë Veriore e Jugore. Me dorëheqjen e Rakiqit dhe të tjerëve, komuna ka mbetur pa ekzekutiv e pa shërbime, dhe rrjedhimisht ne mendojmë që qytetarët kanë nevojë për shërbime dhe duan përsëri qytet të përbashkët”, tha Mujka.
Mujka në KTV tha se shqiptarët në veri janë pjesa më e diskriminuar në Kosovë. “Ata nuk kanë as siguri e as beneficion nga shteti. S’kanë punësim e as privilegje”, tha ai.
Ai tutje tha se nga viti 2013, kur është ndërtuar komuna Veriore, shqiptarët as nuk lejohen të ndërtojnë shtëpi në atë pjesë, sepse Drejtoria e Urbanizmit nuk u jep leje.
Mujku tha se tenstionet në veri mund të nxiten me çfarëdo arsyetimi nëse do Vuçiqi dhe Lista Serbe.
Por, sipas tij, kjo që po tentohet në Mitrovicë, pra ribashkimi i komunave, s’duhet të ngjallë tensione. “A na pyetën neve ata kur e ndanë Mitrovicën. Jo, nuk ka pyeti askush”, tha ai.
“Qytetarët në veri janë lodhur nga Lista Serbe, duan ndryshime”, tha Mujka.
Gjithashtu tha se duan një qytet të përbashkët. “Nëse kemi kërkuar kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre, e kjo nuk është plotësuar, atëherë tani është e drejtë që të kërkohet ribashkimi”.
“Jemi komunë e vjetër, komuna veriore le të quhet e tillë por ne jo. Ne jemi Mitrovicë. Vetë emërtimi Jugore e Veriore, është e padrejtë”, tha Mujka.
Mujka, tutje në Express të KTV-së tha se ky është hap i nevojshëm për qytetarët. “Edhe deputetët e Kosovës duhet të interesohen më shumë për këtë çështje”, tha tutje.
Ai tha se tani do të bisedohet me deputetë dhe me të gjitha partitë, të cilët vetëm janë paralajmëruar, por do t’u kërkohet edhe mbështetje.
“Mitrovica duhet të bashkohet, të kemi vetëm një kryetar, të jemi një. Edhe qytetarët në veri do ta kishin më lehtë sepse do të gjejnë përkrahje”, tha ai.
Nesër në Kuvendin Komunal në Mitrovicë, tha Mujka, e kanë mbështetjen e thuajse të gjithë asamblistëve, që të bashkohet Mitrovica.







