Muja pas anëtarësimit në VV: Kurti dhe VV-ja janë e vetmja garanci për ndryshim

Analisti Armend Muja, pas aderimit në VV, ka thënë se me kryetarin e këtij subjekti, Albin Kurtin, njihen qëmoti, por nga dje do të jenë aktivistë dhe kolegë në VV.

“Kosova gjendet e sfiduar, si për të kaluarën, ashtu edhe për të ardhmen e saj.  Albin Kurti përfaqëson të vërtetën, autoritetin moral dhe vullnetin e njerëzve të rëndomtë në Kosovë – aktiv e rezistent ndaj sfidave shoqërore që nga vitet e 90-ta, por edhe të gatshëm për rrugën përpara.  Data 14 shkurt 2021 do të jetë historike për Kosovën – Kurti do të jetë Kryeministri më i votuar, lajm i mirë dhe i domosdoshem për Kosovën dhe shqiptarët”, ka shkruar ai, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, Kurti nuk i ka borxh askujt përpos popullit të Kosovës dhe dashamirësve të saj.

“Nuk duhet pritur që ai si Kryeminister të jetë kokëulur para atyre që sfidojnë shtetësinë e Kosovës nga brenda dhe jashtë. Ai do te veproj si Kryeministër i të gjithë votuesve në Kosovë dhe partner me miqtë më të afërt te Kosovës. Nevojitet ilaç i shpejtë kundër pandemisë, papunësisë dhe krimit. Na duhet paqe e brendshme dhe kontributi i të gjithë diasporës për ecje me hapa të shpejtë drejt zhvillimit dhe integrimit evropian. Kosova do ti kthehet fitoreve. Albin Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE janë e vetmja garanci për ndryshim në Kosovë. Për mua është nder dhe përgjegjësi të jem një pjesë e këtij rrugëtimi”. /Ballkani.info/