Muja: Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje nuk ishte kërcënuese e shantazhuese

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje nuk ishte kërcënim apo shantazh për opozitën.

Muja ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ky ndryshim ishte premtim paraelektoral për t’ia lehtësuar votimin diasporës.

“Ishte një histeri e pakuptueshme sepse ishim një grup i deputetëve, që shumica ishin betuar që ligji i parë do ta miratonin do ishte ligji që do t’i lehtësonte votimin diasporës. Ishte premtim paraelektoral dhe me rregulla evropiane. Nuk ishte kërcënim apo shantazh për opozitën. Diaspora nuk është vetëm çështje e votimit, por edhe ekonomike dhe politike. Mos harroni gjatë pandemisë që diaspora e shpëtoi Kosovën nga kolapsi i madh ekonomik”, deklaroi ai.

Sipas tij, përmbajtja kryesore e iniciativës ka qenë që diaspora të votojë lirshëm.

“Përmbajtja kryesore e iniciativës ka qenë mundësimi që diaspora të votojë lirshëm. Gjatë procesit zgjedhor, kemi hasur raste kur mërgimtarët kanë shpenzuar qindra euro për të ardhur për votuar”, u shpreh Muja.

Kujtojmë se Ligji për Zgjedhje nuk mori votat e mjaftueshme të premten në Kuvendin e Kosovës për të kaluar në procedurë të shpejt.