Analisti politik

Muhaxhiri: Kurti po e izolon Kosovën, miqtë i shpalli armiq

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti i ka prishur raportet me aleatët kryesorë të Kosovës, e sipas tij, e ai e ka të pamundur të qeverisë pa ta.

Sipas Muhaxhirit, Kosova është në situatë të vështirë, e qasja e Kurtit “është e gabueshme”.

“Kemi shumë probleme me SHBA-në e është një tablo e zymtë e Kosovës për të ardhmen. Ky është gabim i Kurtit. Asociacioni është kusht që s’do të largohet nga tavolina e negociatave. Do të jetë aty vazhdimisht e kjo ka qenë mundësia më e mirë që ta pranojë vendimin e draftit për dërgim në Kushtetuese, që t’i kushtëzojë hapat e tjerë të Serbisë për kompromise. Ka pasur mundësi për zhvillime diplomatike, terreni është ngushtuar e faji është i Kosovës”, ka deklaruar Muhaxhiri të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas analistit, me këto veprime Kurti po e pamundëson anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, pasi “aleatët kanë humbur besimin”.

“Për Kosovën ishte dërgimi i draftit në Gjykatën Kushtetuese e s’e kuptoj pse ka qenë kaq problem. Kurti ka pasur mundësi të kërkojë kompromise të tjera. Kurti s’po e bën kapërcimin nga opozitarizmi në pozitë, sjelljet e fjalorin i ka të njejtë…Kjo do të ketë pasoja  të mëdha edhe për Kosovën e edhe për Kurtin, ai s’konsiderohet si partner i besueshëm. Partnerët kanë nevojë për aleatë të besueshëm që janë në frekuenca normale. Bashkësia ndërkombëtare ka interesim e investim i madh e s’do ta lejojë askënd të shndërrohet në bllokues të këtij procesi gjeostrategjik”, shtoi Muhaxhiri.

Ai ka potencuar se Kosova nuk do ta ketë të lehtë rrugën në integrimin evropian “me qasjen e tillë të Kurtit”, duke thënë se “jemi në situatë delikate ku nevojitet pajtueshmëri e secilës palë”.

 Sipas tij, Kosova do ta izolohet dhe injorohet me projekte.

“Ideja është që vetëm po shkon duke u zvogëluar mundësi për manovrim, e kjo do të vjen në një moment kur do të ‘eksplodojë’ ose do të ketë ngjarje madhore. S’mund t’i humbësh aleatët e të zhvillohesh. Kosova s’është shtet që ka trilionë e kjo është e keqja, por do të ishte e sinqertë nga Kurti të tregonte strategjinë e tij, shndërrimin e miqve në armiq, s’e kuptoj kë i ka miq”, tha ai.