Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se kur e kishte nënshkruar, nuk e kishte shikuar përmbajtjen e vendimit për të cilin tash akuzohet ish-zyrtari komunal, Budak Shala.
Muhaxheri, të enjten, ka dhënë dëshminë e tij, në rastin ku ish-zyrtari i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Budak Shala akuzohet se më 28 prill 2016, i ka tejkaluar kompetencat, me qëllimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “Citroen”.
Në këtë rast, për veprën penale të mashtrimit në tentativë, akuzohet edhe pronari i kësaj kompanie, Enver Daci.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Shala, ka përpiluar vendimin kinse të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve, duke ia dërguar kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, të cilin e ka vënë në lajthim, ku pa e kontrolluar e ka nënshkruar së bashku me vendimet e tjera.
Në dëshminë e tij, Muhaxheri ka deklaruar se vendimin kontestues e kishte nënshkruar pa e shikuar dhe verifikuar përmbajtjen e tij.
Ai ka thënë se personi për të cilën më herët i kishte besuar shumë, tani i akuzuari Budak Shala, nuk kishte pasur autorizim të përpilonte vendimin kontestues.
“Jo nuk ka pasur autorizim që të përgatitë atë vendim. Mirëpo, ka pasur raste kur i kam thanë të përgatitë ndonjë vendim me shkrim dhe ai ka përgatitë”, ka thënë Muhaxheri.
Sipas tij, gjatë punës si kryetar jep nënshkrime të shumta të vendimeve, mirëpo që ato nuk i kontrollon, përveç titujve të tyre.
“Unë zakonisht nënshkruaj shumë vendime dhe ka ndodhë që kam nënshkruar për një ditë 10 deri 30 vendime dhe zakonisht vetëm i kontrolloj titujt, por nuk i lexoj përmbajtjen”, ka thënë kryetari i Pejës.
Kurse, lidhur me rastin për të cilin tash akuzohet Budak Shala, kryetari i Pejës, ka thënë se atë ditë kishte pasur shtatë vendime për t’i nënshkruar, ndër to edhe vendimin kontestues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Dyshimi im i parë për mua kur e kam parë vendimin më vonë ka qenë rreth datës së mbajtjes së mbledhjes së bordit dhe pika e tretë, e cila është kontestuese ishte se do të shkëputet kontrata tashmë e skaduar me operatorin ekonomik”, ka thënë Muhaxheri
Sipas tij, vendimin të cilin e kishte nënshkruar nuk e kishte parë deri kur kishte bërë kallëzim penal në polici.
“Vendimin kontestues unë e kam parë vetëm atëherë kur kam bërë kallëzim penal dhe e kam thirr sekretaren për me gjet këtë vendim për të vërtetuar se a është protokolluar me rregull dhe nuk është gjetur në protokoll, por vetëm ka qenë i protokollar në regjistrin elektronik dhe ajo është bërë në ditën e nesërme pas nënshkrimit tim”, ka deklaruar Muhaxheri.
Ai ka shtuar se vendimet tjera, përveç vendimet kontestues, të gjitha kanë qenë të protokolluara në mënyrë të rregullt.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit idriz Ibraj, nëse kishte dërguar të pandehurin tek avokati i Komunës së Pejës për të marrë ndonjë formë të vendimit, dëshmitari Muhaxheri ka thënë se nuk ishte e vërtetë një gjë e tillë.
Avokati Ibraj e ka pyetur Muhaxherin nëse Komuna e Pejës kishte ushtruar kallëzim penal për këtë çështje edhe më herët, i cili është përgjigjur duke thënë se ishte bërë një kallëzim penal për këtë çështje, por ishte hedhur nga prokuroria në mungesë të provave.
Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Enver Daci, avokati Gëzim Kollqaku kur filloi të drejtohej me pyetje kryetarit të Pejës lidhur me kontratën ndërmjet të mbrojturit të tij dhe Komunës, reagoi kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj duke ia tërhequr vërejtjen avokatit se çështja penale nuk ka të bëjë me kontratë, por me vendimin siç është cekur në aktakuzë.
Mirëpo, përkundër kësaj, avokati Kollqaku ka thënë se i mbrojturi i tij ka bërë kërkesë për ekzekutim, e cila ka të bëjë me kontratën dhe sipas tij, s’ka të bëjë me vendimin kontestues.
Prokurori Hajdaraj, ka thënë se i akuzuari Daci, kërkesën për ekzekutim e ka mbështetur në vendimin që pretendohet se është i falsifikuar.
Ndryshe, në këtë seancë janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarëve edhe ish-avokati i Komunës së Pejë, Muharrem Shala dhe zyrtari për dërgimin e shkresave në këtë komunë, Gëzim Kastrati.
Dëshmitari Shala, ka theksuar se prej vitit 2015, deri në shkurt të vitit 2019, kishte punuar në cilësinë e avokatit të Komunës së Pejës dhe të njëjtën e kishte përfaqësuar bazuar në autorizimin e përgjithshëm të dhënë nga kjo komunë.
Ai ka mohuar të ketë pasur autorizimin për të marrë vendime në emër të Komunës së Pejës
“Unë nuk kam pasur autorizim për të marrë vendime në emër të Komunës dhe as përpilimin e vendimeve, vetëm se në disa raste kam dhënë këshilla juridike për marrëveshje gjyqësore kryetarit të Komunës së Pejës”, ka thënë Shala.
Ai ka deklaruar se se vendimin e 28 prillit të vitit 2016, nuk e kishte përpiluar.
Duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Shala, ai ka konfirmuar se kishte marrë pjesë në takime për çështjen e veturave të konfiskuara dhe se nuk i kujtohej nëse kishte bërë ndonjë vendim për anulim të kontratës.
Kurse, dëshmitari Gëzim Kastrati ka thënë se punonte në Komunën e Pejës si shpërndarës i postës prej vitit 2009, e tutje.
Prokurori Ardian Hajdaraj, ia ka prezantuar dëshmitarit një fletëdërgesë të 3 majit 2016, duke e pyetur se a do duhej të regjistrohet ajo në librin e protokollit të komunës.
Dëshmitari është përgjigjur duke thënë se kjo fletëdërgesë do të duhej të regjistrohej në librin e protokollit.
Ky dëshmitar ka thënë se nuk ka ndodhë ndonjëherë që të dorëzojnë shkresa pa i regjistruar ato në libër.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 prill 2019, ora 10:00.
I akuzuari Budak Shala, si dhe Enver Daci ishin deklaruar të pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur më 27 shtator 2018.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelor në Pejë, më 20 qershor 2018, i pandehuri Budak Shala, akuzohet se më 28 prill 2016, si person zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat, me qëllimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “Citroen”, me pronar të pandehurin Enver Daci.
Në ditën kritike, sipas aktakuzës, i pandehuri i caktuar si zyrtar i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës, ka përpiluar vendimin me numër 58874 kinse të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës, duke ia dërguar të dëmtuarit Gazmend Muhaxheri, të cilin e ka vënë në lajthim, ku pa e kontrolluar e ka nënshkruar së bashku me vendimet e tjera.
Më pas, i pandehuri Shala, e ka vërejtur se në të njëjtin vendim ka harruar ta përfshijë si palë kompaninë e të pandehurit Daci, andaj e ka përpiluar vendimin e dytë, ku tani si palë e ka përfshirë kompaninë në fjalë, gjersa me 3 maj 2016 vendimin personalisht ia dërgon të pandehurit Enver Daci, të cilit ia njeh të drejtën e kompensimit si operator ekonomik me vlerë prej 440.000 euro.
Andaj, sipas aktakuzës, i pandehuri Budak Shala, ngarkohet me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par. 1 të KPRK-së.
Kurse, sipas aktakuzës, i pandehurit Enver Daci, ngarkohet me akuzën se 29 nëntor 2017 në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka tentuar që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, t’i shkaktoj dëm material të dëmtuarës – Komunës së Pejës, duke e përdorur vendimin e falsifikuar me numër 58874, kinse të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës, duke e pranuar nga i pandehuri Budak Shala.
Vendimin e pranuar, i pandehuri Daci, e dërgon përmes postës tek zyrtari i financave, këtu të dëmtuarin Jeton Abazaj, me ç’rast ka kërkuar kompensimin e dëmit me vlerë prej 440.000 euro, ashtu që i dëmtuari duke dyshuar në kërkesën e të pandehurit Daci, vendimin në fjalë e dërgon tek i dëmtuari Gazmend Muhaxheri, ndërsa ky i fundit menjëherë e paraqet rastin në polici dhe në prokurori.
Prokuroria Themelore pretendon se i pandehuri Enver Daci ka kryer vepër penale të mashtrimit në tentativë, nga neni 335 par 3 lidhur me par 1 dhe me nenin 28 të KPRK-së.







