Muhaxheri: Hoti s’është kryeministër ‘kukull’, këtë ia dëshmoi Haradinajt dhe të tjerëve në Uashington

Nënkryetari i LDK’së, Gazmend Muhaxheri u është përgjigjur kritikave lidhur me punën e kryeministrit Avdullah Hoti.

Muhaxheri është i bindur se Hoti udhëheq ekzekutivin dhe nuk është ‘kryeministër kukull’. Për këtë ai përmend tre vendime të shefit të qëverisë, të cilat sipas tij treguan se Hoti merr vetë vendime.

“Nuk është aspak e vërtetë që kanë qenë vendimmarrës (Thaçi ose Mustafa) . Z. Hoti është parë në Amerikë kur i ka treguar edhe partnerit të koalicionit se unë shkoj me nënshkruar e ti del prej koalicionit se nuk është….i ka treguar edhe në Bruksel kur prapë ju ka tregu që unë jam vendimmarrës dhe unë i marrë vendimet…Hoti është vendimmarrës dhe është kryeministër i vendit. Është kryeministër i vërtetë’, tha Muhaxheri në RTV Dukagjini.

“Me vendimin që e ka marrë në Uashington z.Hoti i ka treguar edhe partnerit të koalicionit por edhe të gjithë të tjerëve se është kryeministër i vërtetë. Ajo është vlerësuar edhe prej Departamentit të Shtetit edhe prej të gjithëve që z.Hoti ka marrë vendim të duhur që i ka taku në nivel të përgjegjësisë’, shtoi Muhaxheri.

‘Me tri vendime iu ka treguar se është kryeministër i vërtetë dhe jo se është ‘kukull’ dhe po e dirigjojka dikush”, tha Muhaxheri.