Kryetari

Muharremaj: Zona Industriale krijon 600 vende të reja të punës në Suharekë

Në një vit qeverisje në krye të Suharekës për kryetarin Bali Muharremaj është punuar sa në gjithë mandatin e kaluar.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka treguar sukseset dhe sfidat gjatë vitit që lëmë pas.
Muharremaj konsideron se për punën e tij flasin veprat, duke theksuar investimet në infrastrukturë, si dhe hapjen e Zonës Industriale me vlerë prej 2.3 milionë eurosh, e cila brenda pak kohe Suharekës do ja shtojë 600 vende të reja pune.

E rëndësishme për Muharremajn është ndërtimi i katër shtëpive të reja të shëndetësisë, si dhe përfundimi i projekteve në rregullimin e rrugëve.

Në lidhje me vërshimet që kanë ndodhur në fillim të vitit 2018, i pari i Suharekës tha se kanë arritur që të marrin rreth 1.1 milion euro nga Qeveria. Sipas tij, këto të holla janë ndarë në mënyrë transparente.

I pari i Suharekës thotë se dallimi me qeverisjen e kaluar është tek interesimi në bujqësi, sipas tij, për dallim prej viteve të kaluara buxheti është rritur njëqind për qind.

Përkundër këtyre investimeve, ai thotë se problematike është mos interesimi i të rinjve për punë fizike. Ai deklaron se nuk ka interesim për punën e kamerierit dhe atë të kuzhinierit.

Muharremaj thekson se ka kompani që kanë kërkuar punëtorë në disa fshatra, mirëpo nuk kanë mundur të gjejnë.