Muharremaj: Do të kemi vështirësi buxhetore për t’u dalë në ndihmë bizneseve

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka deklaruar se pandemia Covid-19, i ka dëmtuar shumë bizneset dhe e ka penguar aktivitetin e tyre, por shprehet i bindur se ato së shpejti do të rimëkëmben.

Sipas tij, edhe pas lehtësimit të masave nëpër këto tri faza kjo komunë i ka zbatuar të gjitha zbatimet e qeverisë në detyrë.

Në pikëpyetje është mundësia e ndihmesës për bizneset nga komuna e Suharekës. Kjo pasi që sipas të parit të kësaj komune do kenë vështirë buxhetore pasi të hyrat janë të ulëta për këta tre muaj.

“Po presim me përfunduar edhe faza e tretë, do të ulemi me shefat e grupeve parlamentare sepse kemi qenë bashkë gjatë pandemisë vazhdimisht. Do presim edhe pak, do ulemi dhe do bisedojmë, do të shohim se çka ka mundësi. Do marrim masat por duhet të na kuptojnë që për muajin mars dhe prill të hyrat kanë qenë shumë të vogla edhe për maj shumë të vogla. Ne kemi filluar detyrat në terren, projektet t’i realizojmë, kështu që do kemi probleme sa i përket buxhetit, pasi që në muajin mars janë mbledhur 12 mijë euro, dhe muajin prill 15 mijë euro, kurse kanë qenë të planifikuar diku nga 220 mijë euro në vit”, deklaroi ai.

Kjo komunë kishte një person të vdekur si pasojë e Covid-19 dhe 38 të infektuar, shumica e të cilëve janë shëruar.