MTI vazhdon monitorimin për vendosjen e flamujve të origjinës nëpër markete (FOTO)

Inspektoriati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka dalë në terren në disa pika shitëse për të parë nëse po vendosen flamujt që tregojnë vendin e origjinës së produkteve në bazë të Udhëzimit Administrativ.

Kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla, ka kërkuar nga bizneset që ta respektojnë Udhëzimin Administrativ dhe sa më shpejt ta bëjnë vendosjen e flamujve.

“Sot kemi vizituar disa markete nëpër qytetin e Prishtinë dhe iu kemi kërkuar që ta respektojnë Udhëzimin Administrativ që është nënshkruar nga ministri Shala në dhjetor të vitit të kaluar. Në bazë të gjendjes në terren, vendosja e flamujve ka filluar në shumicën e marketve, ne i këshilluam se ligji duhet të respektohet që të mos detyrohemi të gjobisim”, ka thënë Syla.

Kryeinspektori ka bërë të ditur se ideja nuk është që bizneset të gjobiten, por t’iu bëhet e ditur se duhet të respektohet udhëzimi që ka hyr në fuqi.

“Inspektorati po e kryen detyrën e vet, dhe po iu tregojmë pikave shitëse se sa më parë duhet ta përfundojnë vendosjen e flamujve. Këto ditë kemi qenë në terren, por po ashtu edhe ditët në vazhdim e kemi në plan pune inspektimin e marketeve. Unë kërkoj nga të gjithë operatorët ekonomik që ta bëjnë vendosjen e flamujve nëpër produktet që i shesin, që konsumatorit të din se çka po blen, çfarëdo qoftë ai produkt, duhet t’i vendoset flamuri i origjinës sepse ligji duhet të respektohet”, ka thënë Syla.

Ky Udhëzim Administrativ është nënshkruar nga ministri Endrit Shala më 29 dhjetor të vitit 2018 me qëllimin që konsumatorët ta kenë më të lehtë t’i dallojnë vendin e origjinës produktit.