MTI gjobit marketin Super Viva pas raportimit të Ballkani.info. Vendosi flamurin e Kosovës në produkte serbe

Para dy ditësh, Ballkani.info ka raportuar për mos respektimin e udhëzimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga ana e kompanive apo bizneseve për vendosjen e flamujve afër produkteve që ofrohen për shitje, me qëllim të informimit të konsumatorëve për prejardhjen e produkteve.

Në fotografitë që një lexues i Ballkani.info i kishte dërguar, shihej malli prodhuar në Serbi e që ishte ekspozuar si produkt vendor.

Rasti kishte ndodhur në marketin ‘Super Viva’ në rrugën ‘Nazim Gafurri’, rrugës për në Gërmi.

E i menjëhershëm ka qenë reagimi i Inspektoratit të Tregut nga MTI, të cilët ditën e nesërme kishin dalur në vendngjarje dhe kishin konstatuar se marketi në fjalë kishte bërë shkelje, me ç’rast edhe i kanë proceduar lëndën për në Gjykatë.

Burime të Ballkani.info kanë thënë se dënimi për një shkelje të tillë mund të shkojë deri në 20.000 euro.

Më poshtë janë edhe dokumentet e Inspektoratit të Tregut të siguruara nga Ballkani.info ku shihet edhe gjendja e konstatuar nga Inspektorët.

“Subjekti afarist ‘Super Viva’ Sh.P.K. me seli në rrugën ‘Nazim Gafurri’ është inspektuar nga Inspektorati i Tregut të MTI-së, dhe u konstatua kjo gjendje: Subjekti në fjalë ka vendosur Flamurin e Republikës së Kosovës pranë produkteve me origjinë të Serbisë, produkti në fjalë është ‘Noblice’ Keks” thuhet në raportin e Inspektoratit të Tregut. /Ballkani.info