MSH-ja mendon të subvencionojë 18 për qind të pagesës për testimet në laboratorët privatë

Ngritja e kapaciteteve të testimeve brenda institucioneve publike është e vetmja zgjidhje tash për tash për të gjithë ata qytetarë të cilët nuk kanë mundësi financiare të testohen në laboratorët privatë.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se ata janë duke shqyrtuar edhe një mundësi tjetër në bashkëpunim me Qeverinë që të subvencionojë një përqindje të pagesës që bëhet në laboratorët privatë, raporton KOHA.

E anëtari i Komisionit të Shëndetësisë, Haxhi Avdyli, i frikësohet dukurisë së keqpërdorimit nga ana e mjekëve, të cilët sipas tij, mund t’i referojnë qytetarët për testime në laboratorë privatë.

Kreu i shoqatës së pacientëve, Besim Kodra, thotë se Ministria duhet t’i rrisë kapacitetet testuese dhe t’u ofrojë testime pikërisht shtresave të varfra dhe atyre me simptoma. Derisa sipas Kodrës atyre që testi u nevojitet për të udhëtuar ata duhet të testohen në laboratorë privatë.

Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë ka licencuar mbi 40 laboratorë privatë, të cilët mund të kryejnë testime serologjike dhe RT PCR.

Derisa kjo ministri ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që këta laboratorë të krijojnë monopol dhe përcaktime të çmimeve të shërbimeve.