MPJD

MPJD: Nuk janë të vërteta lajmet për tërheqjen e njohjes nga Surinami

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka mohuar tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Surinamit.

MPJD nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për Klankosova.tv thotë se nuk ka ndonjë informacione për një veprim të tillë.

“Një situatë të ngjashme kemi pasur edhe muaj më parë kur Serbia pat paralajmëruar një numër të madh “ç’njohjesh”, të cilat rezultuan të ishin të gjitha të pavërteta”, thuhet në përgjigje.

Kjo ministri bën të ditur se po punohet me intensitet në lidhjen e marrëdhënieve dhe rritjen e bashkëpunimit me shtete të cilat nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës.

“Duke mos lënë anash forcimin e marrëdhënieve dhe nisjen e iniciativave konkrete të bashkëpunimit me shtete, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, por me të cilat për arsye të ndryshme nuk kemi pasur aktivitete të dendura të përbashkëta”, thekson MPJD përcjell Klankosova.tv

Para tre javësh presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar se shteti i Surinamit e kishte marrë vendimin, për ta tërhequr njohjen e Kosovës.

Këto komente ai i pati bërë pas takimin e ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Albert Ramidin.