MPJD demanton deklaratat e Vuçiqit: Nuk ka asnjë njoftim për çnjohje

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) më në fund ka demantuar deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për nëntë çnjohjet e pretenduara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Një gjë e tillë është bërë me anë të një komunikate të lëshuar për media, duke thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim për çnjohje, as pas bisedave me përfaqësues të shteteve të huaja.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen. Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tone”, thuhet në njoftim.

“Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale. Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë”, vijon komunikata.

Vuçiq në konferencën vjetore mbrëmë ka deklaruar se Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet e kanë çnjohur Kosovën.