Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka marrë vendim për themelimin e grupit punues për mbështetjen e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL.

Vendimi është marrë më datën 19 mars dhe ka për qëllim përfaqësimin sa më të denjë të Kosovës para shteteve anëtare të INTERPOL-it.

Në dokumentin të cilin e ka siguruar Ballkani.info, theksohet se disa nga detyrat dhe përgjegjësitë e grupit punues për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL do të jenë koordinimi i procesit lobues dhe përgatitja e gjithë dokumentacionit lidhur me procesin e anëtarësimit.

Grupi punues do të përbëhet nga tetë anëtarë, të cilët duhet t’i raportojnë në baza të caktuara kohore Ministrit të Punëve të Jashtme.

Pjesë e grupit punues do jenë Rejhan Vuniqi, zëvendësministrit e Punëve të Jashtme e cila do të jetë udhëheqëse e grupit. Astrit Zemaj, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, sekretar koordinues i grupit, si dhe anëtarët Ilir Dugolli, Prindon Sadriu, Rexhep Bajraktari, të gjithë këta nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Në këtë grup do të jetë edhe një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një nga Policia e Kosovës dhe një nga Shoqëria Civile.

Të gjitha shpenzimet e parashikuara të grupit punues, do të mbulohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndërsa në kuadër të këtij buxheti, grupi ka mundësi të angazhojë edhe ndonjë bashkëpunëtor të jashtëm.

Të kujtojmë se vitin e kaluar Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL pas lobimit të ashpër të Serbisë dhe aleatëve të saj. /Ballkani.info/