MPJ-ja i vendos fusnotë Serbisë, ja cila është arsyeja

Shefi i Kabinetit të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Jetlir Zyberaj, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga sot, Kosova do të kryesojë Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

“Pjesë e këtij procesi janë vendet e Evropës Juglindore: Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia*, Maqedonia Veriore, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia”, ka shkruar Zyberaj, përcjell Ballkani.info.

Tutje, ai ka thënë se përmes kryesimit në SEECP, Kosova do t’i dëshmojë edhe njëherë rajonit dhe Evropës se ndryshe nga disa vende evropiane, shteti jonë nuk njeh lodhje në procese demokratike, të integrimit dhe zhvillimit në Evropë.

Por, çfarë ka rënë në sy në postimin e Zyberajt, ka qenë fusnota e vendosur ndaj shtetit të Serbisë.

“Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit (pas Luftës së Dytë Botërore), në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon”, ka shpjeguar Zyberaj.

Kujtojmë se Serbia tash e disa vite i referohet Kosovës me fusnotë, duke e mohuar shtetësinë e saj. /Ballkani.info

loading…