Transformimi

MPJ i reagon BE-së për deklaratën për Ushtrinë e Kosovës: Lexojeni me kujdes Kushtetutën e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, i është përgjigjur zëdhënëses së BE-së rreth transformimit të FSK-së në Ushtri.

BE-ja nëpërmjet Maja Kociançiqit ka reaguar duke thënë se Kosova ka miratuar legjislacionin mbi FSK-në, por NATO dhe BE ndajnë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës miratoi sot një legjislacion mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ashtu si NATO, Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe gradual në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Kocijançiq.

E në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Jashtme duke e përmirësuar Kocijançiqin: “E nderuar Maja,… mandati i FSK-së është përcaktuar me ligj, jo me kushtetutë. Ne sugjerojmë që ta lexoni me kujdes Kushtetutën e Kosovës”.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë thënë sot po transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura.