MPJ i përgjigjet Estonisë për Iute Credi, mesazhet nga Estonia paralajmërojnë tensione ndërshtetërore

Banka Qendrore e Kosovës ditë më parë ka bërë revokimin e licencës për operim të dy kompanive mikrofinanciare IUTE Credi dhe Monego me arsyetimin se kanë pasur norma të larta të interesit.

Dyshohet se këto dy kompani kanë kryer edhe shpërlaje parash e skema piramidale, gjë për të cilën kanë qenë në dijeni edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Njësia për inteligjencë financiare dhe një ambasadë shumë e fuqishme në Kosovë. Por mbyllja e IUTE Credi ka ngjallur reagime të shumta në shtetin e Estonisë.

Për këtë ditë më parë kryediplomati estonez, Matti Maasikas i ka telefonuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, nga i cili ka kërkuar shpjegime se pse shteti kosovar mbylli një biznes të Estonisë në Kosovë “IuteCredit”.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovë kanë konfirmuar se një telefonatë ka ardhur nga shteti i Estonisë duke kërkaur sqarime se pse ky biznes është mbyllur në Kosovë.

Jetlir Zyberaj këshilltar i lartë politikë i Behgjet Pacollit ka dhënë detaje për këtë telefonatë.

“Kosova dhe Estonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Në këtë frymë të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe miqësisë midis dy vendeve tona, Ministri i Jashtëm Pacolli pati një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm Estonez. Kushdo që mendon se zbatimi i ligjit nga Banka Qendrore e Kosovës do të dëmtonte marrëdhëniet miqësore midis Kosovës dhe Estonisë është i pa informuar ose keqinformon qëllimisht publikun për qëllime kryesisht me prapavijë financiare. Banka Qendrore dhe shteti i Kosovës ka respektuar ligjet në fuqi. Unë madje jam i bindur që pasi të mbarojnë hetimet, shumë individë do të mbahen përgjegjës dhe do të nxirren para drejtësisë”, ka thënë Zyberaj, shkruan Gazeta Blic.

Avokati i ardhur nga Estonia, Rauno Kinkar, ka paralajmëruar mundësinë e prishjes së raporteve diplomatike për shkak të mbylljes së “IuteCredit” derisa ka bërë thirrje të ndalet procesi i likuidimit të biznesit estonez.“Kjo tani është shndërruar në çështje ndërkombëtare dhe diplomatike. Estonia e ka njohur Kosovën ndër vendet e para. Ministri i punëve të jashtme e ka kontaktuar ministrin e jashtëm këtu në Kosovë. Kjo nuk është koha për përleshje diplomatike, ne jemi këtu që të gjejmë zgjidhje miqësore dhe procesi i likuidimit të ndërpritet dhe të shmangen dëmet e tjera të Iute Credit”, ka thënë Kinkar.Avokatët e “IuteCrdit” kanë kërkuar, po ashtu, të respektohen rregullat ligjore me rastin e këtij biznesi. Kanë thënë se nëse s’respektohen rregullat do ta çojnë vendimin në Arbitrazh.