Sot

MPJ: Erdogani e ka ftuar Pacollin në inaugurimin e Aeroportit të Stambollit

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar pas lajmit se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan e ka ftuar në inaugurimin e aerportit të Stambollit, Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë.

MPJ ka konfirmuar për Ballkani.info se Erdogani në Stamboll për inaugurimin e Aeroportit më të madh në botë e ka ftuar edhe zv/kryeministrin dhe shefin e diplomacisë kosovare, Behgjet Pacollin.

“Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka marrë ftesë për inaugurimin e Aeroportit të Stambollit”, kanë thënë shkurt nga MPJ për Ballkani.info.

Raportimi i mëhershëm:

Erdogan e fton Vuçiqin në hapjen e Aeroportit më të madh në botë. A e ftoi edhe Thaçin?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të merr pjesë, me ftesë të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në hapjen solemne të aeroportit të Stambollit, të tretit në këtë qytet shumëmilionësh, kurse në të ardhmen më i madhi në botë.

Ky, sipas mediave serbe, do të jetë takimi pestë këtë vit ndërmjet dy presidentëve dhe konfirmim se marrëdheniet personale dhe profesionale të Vuçiqit dhe Erdoganit janë të bazuar në respekt dhe besim të ndërsjellë, transmeton Ballkani.info.

Me gjasë, ftesë për këtë inaugurim ka marrë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që do të ishte skandal në vete nëse Erdogani nuk e ka ftuar Thaçin, e në anën tjetër e ka ftuar Vuçiqin.

Dihet se Thaçi ka raporte të mira me Erdogan po aq sa kanë edhe liderët tjerë të Ballkanit, përfshirë këtu edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Erdogan e ka vizituar Kosovën sa ishte kryeministër Thaçi dhe i ka dhënë në vazhdimësi atij mbështetje.

Po ashtu presidenti turk ishte në Kosovë edhe në hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” i cili menaxhohet nga kompania turke “Çalik-Limak”.

Aeroporti i Stambollit hapet në Ditën e Republikës së Turqisë, që shënohet më 29 tetor. /Ballkani.info/