MPJ e Gjermanisë: Mbështesim punën e Speciales, presim të njëjtën gjë nga Kosova

Qeveria federale e kancelares gjermane, Angela Merkel, mbështet plotësisht punën e Dhomave të Specializuara dhe thonë se një gjë të tillë e presin edhe nga Kosova. Ky është qëndrimi gjerman pas publikimit të lajmit se në Hagë ka aktakuzë ndaj Presidentit Thaçi. Gjithashtu, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, i ka thënë Gazetës Express se presin që dialogu Prishtinë-Beograd të rifillojë pa vonesa.

Prokuroria Speciale e Hagës më 24 qershor ka bërë publike aktakuzën për krime lufte që ka iniciuar ndaj dy ish-funksionarëve të lartë të UÇK’së, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Thaçi,Veseli dhe disa të tjerë janë përgjegjës për krime të ndryshme dhe për rreth 100 vrasje përfshirë edhe kundërshtarë politik.

Kjo aktakuzë është bërë publike ende pa marrë dritën e gjelbër të gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara i cili është duke e shqyrtuar atë.

Një veprim i tillë është kritikuar shumë, megjithatë në njoftimin për aktakuzën e publikuar nga Prokuroria Speciale thonë se kanë qenë të detyruar që t’i bëjnë publik emrat dhe aktakuzën, pasi Thaçi dhe Veseli kanë bërë përpjekje për të penguar punën e Dhomave të Specializuara.

Lidhur me një zhvillim të tillë në Kosovë, Gazeta Express, ka dërguar pyetje në adresë të Berlinit zyrtar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë thotë se Dhomat e Specializuar kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së drejtuar nga kancelarja, Angela Merkel, dhe kujtojnë se ka qenë vetë Kosova që ka themeluar Specialen.

Nga Berlini thonë se presin që edhe Kosova të mbështesë punën e Speciales.

“Dhomat e specializuara të Kosovës janë themeluar nga Republika e Kosovës dhe gëzojnë mbështetjen e plotë të Qeverisë Federale të Gjermanisë. Ekziston një pritje e qartë nga Komuniteti Ndërkombëtar, përfshirë Qeverinë Federale të Gjermanisë, që Kosova ta nderojë këtë angazhim dhe të mbështesë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i MPJ-së gjermane për Express.

Aktakuza ndaj presidentit Thaçi ka bërë që të anulohet edhe takimi i Ëashingtonit i planifikuar të mbahej më 27 qershor. Për Amerikë nuk ka udhëtuar as kryeministri, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se duhet të kthehet në Kosovë për t’u marrë me situatën.

Megjithatë Gjermania pret që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rinisë pa vonesa dhe se përkrahin punën e Përfaqësuesit Special të BE’, Miroslav Lajcak.

“Ri-inicimi i dialogut politik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet pa vonesa. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajcak për këtë qëllim. “, kanë thënë për Express nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Pas akuzave të Speciales në drejtim të Thaçit dhe Veselit sot ka folur edhe Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, i cili thotë se aktakuza është një hap pozitiv drejt drejtësisë dhe se nuk i ul vlerat e UÇK’së.

Vetë presidenti Thaçi ndëkrohë sot është lajmëruar nga Tirana dhe ka treguar se të dielën në Prishtinë do t’iu drejtohet qytetarëve pas aktakuzës nga Specialja.