Sulmet serbe

MPB: Sulmet e djeshme s’kanë dëmtuar sistemin elektronik të institucioneve shtetërore

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar lidhur me sulmin kibernetik ndaj institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

MPB, përmes një njoftimi dërguar mediave, ka thënë se Këshilli Shtetëror i Sigurisë Kibernetike, nën udhëheqjen e Koordinatorit nacional për siguri kibernetike, Selami Shkodra, konform kornizës ligjore në fuqi, ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me sulmet e fundit kibernetike, ku morën pjesë të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës.

“Këshilli është njoftuar lidhur më sulmet e fundit kibernetike nga institucionet përgjegjëse dhe vlerëson se sulmet e fundit kibernetike, të tipit DDoS të cilat kanë ndodhur ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, deri më tani nuk kanë afektuar asnjë sistem elektronik të institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe asnjë adresë elektronike zyrtare”, thuhet në njoftim.

Rrjeti qeveritar i Kosovës sulmohet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina

Më tej thuhet se “në harmoni më strategjinë shtetërore për siguri kibernetike, Këshilli ka marrë masat e duhura dhe ka njoftuar institucionet në varësi dhe personat përgjegjës për hapat që duhet të ndërmarrin”.

“Këshilli informon mediat dhe opinionin publik që nuk ka arsye për shqetësim, dhe si organ kompetent për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës do të mbajë të informuar për çdo kërcënim eventual kibernetikë si dhe për masat parandaluese”, thotë MPB-ja në njoftimin për media.