MPB sqaron problemin me lëshimin e letërnjoftimeve dhe certifikatave

Ministria e Punëve të Brendshme ka sqaruar situatën e krijuar për mungesën e materialit furnizues për letërnjoftime dhe certifikata të gjendjes civile.

Dje është raportuar se si për shkak të keqmenaxhimit të ministrisë së Brendshme, kjo e fundit kishte mbetur pa material furnizues.

Kjo ngase menaxhmenti i kontratës për furnizim me letërnjoftim ka bërë kërkesë me vonesë tek kontraktuesi për material për letërnjoftim.

E ndryshe po thonë nga ministria e Punëve të Brendshme.

Ata përmes një komunikate për media kanë thënë se tenderi për furnizim me certifikata të lindjes është në fazë të vlerësimit.

Sipas tyre, në janar të këtij viti, ata janë furnizuar me 600 mijë certifikata, mirëpo se për shkak të kërkesave të shumta ato janë shpenzuar.

Nga MPB po ashtu pretendojnë se pajisja e qytetarëve me leternjoftim është duke u bërë brenda afatit ligjir, 15 ditëve.

“Sipas Ligjit për Letërnjoftim Nr. 05/L – 015, Neni 14 – Organi kompetent është i detyruar të lëshojë letërnjoftimin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës. Statistikat ditore dëshmojnë se nuk ka tejkalime të këtij afati”, thuhet në komunikatë.

Në përfundim, MPB thotë se gjatë muajve të fundit janë paraqitur më shumë kërkesa për aplikim për dokumente personale si letërnjoftim dhe pasaportë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.