Roma

Mourinho sqaron të ardhmen: Qëndrimi im dihet, s’kam çfarë them më shumë

Jose Mourinho ngroh zemrat e tifozëve të Romës. Në konferencë për shtyp para ndeshjes me Napolin, në “Olimpico”, “Special One” siguroi se dëshiron të qëndrojë më gjatë në kryeqytetin italian.

“Kishte dyshime për zgjedhjen time për të qëndruar apo jo te Roma. Kështu që unë e bëra të qartë qëndrimin tim. Ndoshta njerëzit donin ta dinin, ata mund të kishin dyshime, por unë isha i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë nga fillimi.

Kur pata mundësinë informova menjëherë Romën si në dhjetor për mundësinë e Portugalisë. Pas finales në Budapest, fola për situatën e Arabisë me pronarët dhe vendosa të qëndroja këtu.

Tani ndershmëria ime mbaron këtu. Çfarë mund të them tjetër përveçse dua të qëndroj me gjithë vështirësitë që ka. Ky është qëndrimi im dhe nuk ka dyshime, nuk kam asgjë tjetër për të thënë dhe nuk dua të flas për këtë situatë”.

Sigurisht që nuk mund të mungonte pyetja e gazetarëve mbi qëndrimin e Mourinhos për Superligën.

“Jam trajner i Romës dhe pozicioni zyrtar i Romës është gjithashtu imi. Nuk kam asnjë lloj komenti për të bërë. Është e vërtetë që kam shumë përvojë futbolli ndërkombëtar. Unë e kam përjetuar futbollin në shumë momente, por nuk dua të bëj asnjë koment publik, pozicioni i Romës është i qartë”.