Motra e Xhelal Sveçlës, Magbule Hyseni, është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Tanimë pjesë e kësaj ministrie janë bërë dy motra të ministrit Sveçla, pasi që, siç ka mësuar Ballkani.info, një motër tjetër e tij punon që shumë vite në administratën e kësaj ministrie.

Magbule Hyseni, është motra e Xhelal Sveçlës, ministrit të Punëve të Brendshme të shtetit dhe ajo ka disa muaj që është punësuar në kuadër të projektit të Bankës Botërore, që implementohet brenda Ministrisë së Bujqësisë.

“Ju njoftojmë se Magbule Hyseni ishte rekrutuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë social për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR) në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili mbështet Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore. Në kuadër të këtij projekti, Znj. Hyseni ishte angazhuar në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural/Autoriteti Menaxhues brenda MBPZhR-së. Ndërkaq, ajo është zgjedhur sipas procedurave të Prokurimit të Bankës Botërore, të cilat duhet të ndjeken si pjesë e Marrëveshjes Financiare për financimin e kredisë. Komisioni Vlerësues është përbërë nga anëtar të projektit dhe anëtarë të MBPZhR-së. Po ashtu, ju njoftojmë se në bazë të dhënave nga Divizioni për Buxhet dhe Financa në MBPZhR, Magbule Hyseni nuk figuron në listën e pagave të rregullta në MBPZhR asnjëherë deri më tani. Po ashtu, Magbule Hyseni nuk ka punuar asnjëherë as në Zyret Regjionale të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB)”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Ballkani.info.

Ky projekt implementohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore, megjithatë të gjitha procedurat mbikëqyren nga MBPZHR dhe pas pak kohësh, shumica e të angazhuarve kalojnë si staf i rregullt në këtë dikaster qeveritar, meqë edhe fokusi i projektit ndërlidhet me rritjen e kapaciteteve të ministrisë.

Hyseni për këtë pozitë është zgjedhur nga Ministria e Bujqësisë, bazuar në procedurat e prokurimit të Bankës Botërore.

Paga e motrës së Sveçles, Magbule Hyseni, nga ky angazhim është 423 euro. Motra tjetër e ministrit Xhelal Sveçla, Selvetja, siç ka mësuar Ballkani.info punon në administratën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. /Ballkani.info/