Motra e ish veprimtarit, Enver Hadri, Nediha Hadri-Grapci, ka treguar pjesë nga jeta e saj më të vëllanë, deri te momenti i vrasjes së tij 29 vjet më parë.
“Jemi rritë pa baba, pasi që atë e vranë më 1945. Enveri ka qenë si prind për mua jo vetëm si vëlla. Kemi pas vetëm tre vjet dallim në moshë. E kam respektuar tepër. Çdo këshillë e kam pasë prej tij. Gjithmonë ka qenë njeri i dashur, njeri që e kam respektuar pa masë, njeri i vlefshëm për mua. Kur ka ikë në 72-ën kur u zbulua grupi ilegal anëtarë i të cilit ka qenë, kur kam kuptuar këtë e kam pasë më të lehtë. Ai ishte arratis për një shkak të një pune të vlefshme – për atdheun e vet”, ka thënë Hadri-Grapci, njofton Klan Kosova.
“Sot jam krenare për të. Kanë kaluar 29 vjet. Dje ka qenë përvjetori prej kur ai ka dhënë jetën për Kosovën. E ndjej sikur të ishte sot ajo ngjarje”, ka thënë ajo në Zona B.
Ajo në rrëfimin e saj ka kujtuar një rast kur ishte ndaluar nga policia që të tregonte për veprimtarinë e të vëllait.
“Kur shkova i tregova vëllait, ai më tha kur te kthehesh shko e thuaj se secili popull e ka dikë, një përfaqësues që udhëzon popullin e tij. Më tha, thuaj “Edhe unë punojë të njëjtën punë dhe ajo s’është krim””.
Nediha Hadri-Grapci ka thënë se ka qenë në Prishtinë kur i ishte kumtuar se Enver Hadri ishte vrarë.
“Kam qenë në Prishtinë. Ka qenë orë policore. S’kanë pasë mundësi që të afërmit e mi të vijnë për ngushëllime. Të nesërmen jam nis për në Bruksel. Është dashtë të shkojë në Beograd në aeroport dhe të udhëtoj. Ka qenë shumë vështirë. Me telefon më kanë lajmëruar. Shoqja e Enverit më lajmëroi. Fati ynë ishte se nëna kishte vdekur 14 muaj përpara dhe nuk e kishte përjetuar vdekjen e vëllait. Këtë fat e kemi pas që ajo të mos e përjetonte këtë. Dhimbja për të ka qenë e madhe. E kam pas të vetmin vëlla”.
Ajo ka thënë se nëpër mediat serbe para se të vritej Hadri ka pasur një propagandë të ashpër kundër tij.
“Në ‘Vesti’ kishte dalë një listë me emrat e 13 shqiptarëve të cilët thuhej se Enver Hadri donte t’i vriste. Ka qenë propagandë serbe”.







