Moti nesër si në pikë të dimrit… -1 deri 1 në mëngjes!

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për temperaturat që do të mbajnë nesër e pasnesër në vendin tonë.

Sipas njoftimit, temperaturat minimale pritet të lëvizin mes 1 e 2 gradë celsius, ndërkaq që maksimalet pritet të shkojnë deri në 18 gradë.

“Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius. Në viset malore temperaturat minimale parashihen të zbresin deri -1 gradë Celsius. Kjo situatë termike nuk do të ndikoj negativisht në fushën e pemëtarisë, pasi që këto vlera të temperaturave të ulëta do të mbesin në intervale të shkurta kohore. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i juglindjes, e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është paralajmëruar se gjatë ditës së enjte do të ketë edhe reshje shiu.

“Fushat me presion të ulët atmosferik të cilat ishin prezent ditëve të fundit, janë duke u ç’vendosur drejt veriut të kontinentit, për tu zëvendësuar me masa të ajrit me presion të rritur atmosferik. Kjo gjendje meteorologjike do të kushtëzoj mot me diell dhe vranësira, të cilat ditën e enjte, vende-vende do të sjellin reshje të dobëta shiu”, thotë IHMK.

“Mëngjesi i së mërkurës parashihet të jetë ndjeshëm i ftohtë pasi që merkuri në termometër do të shënoj vlera rreth zeros. Kjo si pasojë e prezencës së masave të ajrit me origjinë nga veriu. Mirëpo, gjatë ditës do të ketë masa aktive të ajrit nga drejtimi i juglindjes dhe do të ndikojnë dukshëm në rritjen e temperaturave maksimale”, përfundon njoftimi.