Moti i papërshtatshëm e lë Lagjen e Spitalit pa parkun linear

Punimet filluan qe më shumë se tre muaj. Ato duhet të kryheshin brenda 90 ditësh, por Lagjja e Spitalit nuk u bë ende me parkun linear.

Mjetet e punës kanë mbetur në terren, pa u prekur që nga dhjetori i 2022-tës. Moti jo i përshtatshëm po fajësohet për vonesat në realizimin e projektit

“Të gjitha parqet dhe projektet që bëhen në hapësira janë ndalur për shkak të kushteve klimatike. Kush kupton në punët e ndërtimtarisë e di që punimet e shtigjeve, të rrugëve, të gjitha ato që kanë të bëjnë me ndërtimtari ndalen në këtë kohë”, tha Donika Çetta, drejtoreshë e Parqeve në Komunën e Prishtinës, raporton “Ju Flet Prishtina”.

Në park kanë mbetur të kryhen shtigjet dhe gjelbërimi, që sipas Çettës nuk mund të përfundohen në temperatura të ulëta.

“Edhe pse këtë vit ka mbajt koha e mirë, por nuk mund të dihet sa zgjatë dhe për shkak të ndryshimeve që bëhen prej muajit dhjetor deri në mars, ndërpriten punimet për të vazhduar me përmirësimin e kohës”, tha tutje ajo.

Deri më tani është punuar rreth 1 muaj intensivisht, dhe në pranverë pritet të vazhdojnë dhe 60 ditë të tjera, e nëse gjërat shkojnë sipas planifikimeve, parku do të përfundojë në prill.

Por banorët e zonës duan që ai të kryhet sa më parë. Derisa për këtë projekt janë ndarë 270 mijë euro.