Moti i keq shkakton probleme në bregdetin shqiptar

Reshjet e shiut dhe era e fortë përfshinë këtë të premte zonat bregdetare në Shqipëri.

Dallgët e larta, bënë që puna në Portin e Shëngjinit të ndërpritej. Kapiteneria vendosi pezullim të lundrimit për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla detare.

Po ashtu në bregdetin e Vlorës ka qenë i pamundur lundrimi. Pas më shumë se 2 orësh ne det te hapur mundi të ankorohet trageti i linjës Vlorë – Brindizi – Vlorë, i cili mbërriti rreth orës 15:30.

Era e fortë rrezoi edhe disa pemë në pyllin e Sodës, që bllokuan një nga nga segmentet rrugore.

Pak më e qetë është paraqitur situata në Portin e Durrësit.

Për shkak se situata e motit pritet të përkeqësohet edhe më tepër Drejtoria e Përgjithshme Detare ka vendosur pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla, si dhe anijeve të peshkimit, në të gjithë bregdetin shqiptar.

Era pritet të arrijë deri në 20m/s dhe dallgëzimi në det të arrijë deri në 7 – 8 ballë. Lundrimi do të rinisë në 23 Prill pas orës 06:00