Motër e vëlla i shpëtojnë mrekullisht mbytjes në lum, flet djali që i shpëtoi

Dy fëmijë romë duke luajtur në anë të lumit Gjanicë në Fier kanë rënë në lumë.

Sipas dëshmitarëve okularë, njërit prej fëmijëve i ka rrëshqitur këmba. Fëmija tjetër ka tentuar ta ndihmojë por ka rënë edhe ai brenda në lumë. Teksa janë munduar të dalin nga lumi, i ka rrëmbyer rryma e lumit.

Ka qenë një i ri që ka qëlluar në vendin e ngjarjes, i cili është hedhur menjëherë në lumë për t’i shpëtuar të vegjlit, që kanë rrezikuar seriozisht mbytjen.

“Kisha dalë xhiro. Njërit prej tyre i shkau këmba. Tjetri u hodh për të ndihmuar të motrën dhe aty në moment i mori rryma. Aty që e pashë që nuk kishin shpëtim, u hodha me gjithë rroba dhe i nxora jashtë. Vajza ishte thuajse e vdekur, kurse djali i rezistoi më shumë. Të parën nxora vajzën, të dytin djalin. Erdhi i mori ambulanca dhe i çoi në spital”, ka thënë djali që ka shpëtuar fëmijët.

Fëmijët janë marrë nga një ambulancë dhe aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.