Propozimi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për pezullim të taksës prej 120 ditësh, po shihet si mospajtimi i parë publik në mes koalicionit qeverisës në vend. Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, duke komentuar qëndrimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lidhur me pezullimin e taksës kujtoi qëndrimin e të parit të PDK-së, kur ai kishte propozuar për vendosje të taksës prej 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.
Sipas tij, në këtë mes, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, flet në kuadër të kompetencave të veta, pasi ai ishte edhe propozuesi i parë i ngritjes së kësaj takse, shkruan Gazeta Blic.
“Këtu ai flet në kuadër të kompetencave të veta. Thotë sepse Kadri Veseli është më i madhi i partive të koalicionit dhe është kryetar i Kuvendit. Ndërsa është edhe propozues i vendosjes së taksës për 100% sepse Enver Hoxhaj është i 10 për qindëshit kurse ky e ka bërë 100%c ndërsa Qeveria e ka votuar unanimisht vendosjen e taksës”, tha Tahiri.
Ai shtoi se nëse ky propozim i Veselit i bërë publik, por pa adresë, mund të jetë bërë edhe për shkak të ruajtjes së partneritetit me SHBA-të. “Tash si do të shkojë se a e ka ndërruar qëndrim, ku thoshte se do të jem i fundit që do ta mbajë këtë koalicion apo tash konsideron që ky koalicion duhet të prishet nuk dihet pasi, në këtë rast janë interesa më të mëdha sepse bëhet fjalë për partneritetin me SHBA-në”, tha ai.
Ramush Tahiri vlerësoi se ky është edhe mospajtimi i parë publik mes koalicionit PAN.
“Për momentin duket se është mospajtimi apo këshilla e parë publike që i bëhet kryeministrit që ai duhet ta tërheq taksën” përfundoi Tahiri.
Ndryshe gjatë ditës pas një takimi që kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe i PDK-së, Kadri Veseli kishte me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, është kërkuar që taksa prej 100% të pezullohet për 120 ditë.Ndërsa, nga AAK një vendim i tillë as që e ka ndërmend të merret. E gjithë kjo pasi, sipas tyre Serbia po vazhdon me politikat e saja në dëm të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Blic Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ahmet isufi.“Nuk i komentojmë deklaratat e të tjerëve. Por taksa vazhdon të mbetet në fuqi për shkak se Serbia nuk e po e sforcon qëndrimin e saj anti Kosovë dhe po vepron sic ka vepruar edhe më herët në mënyrë destruktive” tha Isufi.
Gjatë ditës së djeshme edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka paralajmëruar kryeministrin Haradinaj se “bora ka zënë të shkrihet”.







