Skenderaj

Mospajtime në Skenderaj për shfrytëzimin e hapësirës nga blerësi i tokës

Familja Salihi nga Komuna e Skenderajt, në vitin 2013 i kishte shitur 10 ari tokë Ilir Behramit nga fshati Klinë e Poshtme të Skenderajt, por rasti i tyre ka përfunduar në gjykatë për shkak të mospajtimeve rreth hapësirës së shfrytëzuar nga blerësi i tokës.

Vëllezërit Salihi po ankohen se Komuna e Skenderajt, në mënyrë të paligjshme i ka transferuar tokë edhe 9 metra katrorë më tepër Behramit, i cili në atë hapësirë ka ndërtuar një objekt afarist.

Ndërsa për shkak të rrëshqitjes së dheut në afërsi të objektit, ata thonë se po u rrezikohen shtëpitë e tyre dhe se vlera e dëmit të shkaktuar, sipas matjeve që kanë bërë kap vlerën mbi 100 mijë euro.

“Kontesti me Ilir Behramin ka filluar kur i njëjti gjatë hapjes së themeleve për objekt, ka hyrë në pronën tonë si dhe gjatë vendosjes së themeleve, dheu nga dy anët e tokës sonë ka rrëshqitur dhe ka shkaktuar dëme të mëdha”, thotë Gazmend Salihi, i cili planifikon që në truallin e vet, rreth hapësirës së objektit afarist të ndërtojë shtëpi.

Drejtoria për Shërbime Publike, përkatësisht Sektori i Inspektoratit i Komunës së Skenderajt, në vitin 2017 përmes një aktvendimi e kishte urdhëruar pronarin e objektit, Ilir Behramin dhe punë kryesit që t’i ndërpresin punimet.

Por sipas familjes Salihi, një vendim i tillë nuk ishte respektuar dhe pak ditë më vonë, kishte vazhduar ndërtimi dhe se këtë vit është hapur objekti afarist me emrin “Mobileria Iliri”.

Ndërkaq, Komuna e Skenderajt për KALLXO.com ka thënë se ky rast është trajtuar në organet kompetente të komunës sipas kërkesë së palëve.

“Inspektorati i Komunës së Skenderajt ka dal në vendin e ngjarjes, ka trajtuar lëndën dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi ka kryer punën e tij. Çështja pronësore e juridike e palëve është në proces gjyqësor dhe Komuna nuk ka të drejtë ligjore të implikohet në rastet gjyqësore, siç e dini pushtetet janë të ndara”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të kësaj komune, Ramiz Shala.

Sipas Komunës së Skenderajt, çdo veprim tjetër përveç atyre veprimeve që janë në përputhshmëri të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës, ‘për ne është i papranueshëm’.

Pronari i lokalit afarist, Ilir Behrami i kontaktuar nga KALLXO.com thotë se vendimi i Komunës nuk ishte i bazuar, pasi sipas tij në këtë rast nuk nevojitet leje për ndërtim.

“Shiriti nga ana e komunës është vendosë në muajin nëntor, kur objekti ka qenë i përfunduar. Nuk ka pasur shirit gjatë ndërtimit. Edhe zgjerimi i rrugës është bërë me marrëveshje të tyre. Sa i përket tejkalimit, këtë tokë e kam ble për objekt e jo për arë. Nuk ka tejkalim të përmasave të mëdha. Ky investim ka qenë për shkak të kredisë që më është dashtë ta marr dhe për investim bankar, nuk duhet leje hiç”, thotë Behrami.

Për këtë çështje janë mbajtur katër seanca në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri.

Paditësit Jetullah Salihi, Refki Salihi, Bastri Salihi, Arben Salihi dhe Gazmend Salihi, kishin kërkuar caktimin e masës së sigurisë më datë 9 tetor 2017, por një kërkesë e tillë u ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, si kërkesë e pabazuar.

Në seancën e mbajtur më 14 maj të këtij viti, Gjykata ka marrë aktvendim, ku thuhet “Konstatohet se është tërhequr propozimi për caktimin e masës së sigurisë”.

Avokati i të paditurit Ilir Behrami, Adem Vokshi për KALLXO.com ka thënë se më 30 korrik të këtij viti, i ka dërguar një kërkesë me shkrim familjes Salihi, në mënyrë që palës së tij t’i lejojnë tërheqjen e dheut nga toka e tyre dhe ta vendosin në vend, pranë objektit.

Por vëllezërit Salihi thonë se është e papranueshme që dheu të kthehet në zonë për shkak të dëmeve që janë shkaktuar. “Ne kërkojmë nga organet kompetente të bëjnë kompensim të dëmeve, lirimin e pronës tonë 8.77 metra katrorë, largimin e drenazhës nga trualli dhe nga rruga siç kërkojmë, të mbajë distancë nga trualli dhe nga rruga jonë sipas standardeve dhe lejes së ndërtimit, të cilën komuna ia ka dhënë për ndërtim”, theksoi Gazmend Salihi për KALLXO.com.

Ndërsa, Administratorja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, Lumnie Surdulli, ka thënë për KALLXO.com se me vendim të kryetarit të Gjykatës nuk mund të japin informacione, përderisa rasti është ende në proces gjyqësor.