Moskrijimi i institucioneve, anëtari i VV-së e akuzon Thaçin për vonesa “hashimore”

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, i cili kohëve të fundit ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale, ka përmendur disa prej arsyeve që sipas tij kanë vonuar arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje mes VV-së e LDK-së.

Ndër të tjera, Zaimi  ka thënë se për këto vonesa, që nisin që nga dorëheqja e qeverisë në largim e deri te shpallja e zgjedhjeve, e pastaj certifikimi i rezultateve përgjegjës është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto vonesa, të cilat ka cilësuar si vonesa “hashimore” Zaimi ka thënë se nuk do ta pengojnë krijimin e institucioneve të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Postimi i plotë:

Kur flasin për vonesa, për çka e kanë fjalën? A e dinë këta “talentë” se qeveria mund të krijohet vetëm pas konstituimit të Kuvendit? E Kuvendi u konstituua në 26 dhjetor. Pra, kanë kaluar vetëm 15 ditë, nga të cilat 8 kanë qenë ditë pushimi zyrtar.

Prej dorëheqjes së qeverisë në fund të korrikut, deri në shpallje të zgjedhjeve në fillim të tetorit, vonesë prej 9 javësh, për shkak të Thaçit që vendosi datën sa më larg verës, që të mos ishin mërgimtarët në Kosovë gjatë zgjedhjeve.

Prej zgjedhjeve në 6 tetor, e deri në certifikim të rezultateve në 26 nëntor, 7 javë vonesë, për shkak të krejt subjekteve që shpresuan se me manipulime rinumërimesh në KQZ do vidhnin fitoren e Vetëvendosjes.

Prej 26 nëntorit të certifikimit deri në 26 dhjetor të mbledhjes së Kuvendit, sërish 5 javë vonesë, për shkak të Thaçit, që e thirri seancën dy ditë më vonë se afati i fundit.

Pra: 14 javë vonesa për shkaqe hashimore, 7 javë vonesa për rinumërimet që futën nismën, dhe nga ana tjetër vetëm 2 javë, nga të cilat njëra pushim zyrtar si përgjegjësi e Vetëvendosjes.

Nuk e vonon Vetëvendosja Kosovën, mos kini merak.