Moskompensimi i orëve – Qehaja paralajmëron pengesa në vitin mësimor: 10% e planit ka humbur

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ndonëse ka ndërprerë grevën ka paralajmëruar se orët e humbuar nuk do të zëvendësohen.

Në lidhje me këtë çështje drejtori i instituti “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Ekonomia Online se më me rëndësi është që procesi mësimor ka filluar dhe se zëvendësimi i orëve të humbura i takon komunitetit të shkollës të dakordohen.

Mirëpo sipas tij, nëse orët e humbura nuk zëvendësohen atëherë do të pengohet viti mësimor duke shtuar se 10% e planit ka humbur.

“Me rendësi që procesi mësimor ka filluar, debati për zëvendësim nuk është me prioritet tani, është diçka që u takon komunitetit të shkollës që me mirëkuptim të akordohen për ato datat me të mira që domosdoshmërish na kompensojmë orët e humbura”.

“Rikujtoj që në tërësi këta muaj të grevës na përbëjnë 10% të plan-programit mësimor të humbur, i cili nëse nuk zëvendësohet pengon vitin mësimor”, tha Qehaja.

Ndër të tjera Qehaja shtoi se është i bindur që komuniteti i mësimdhënësve është i vetëdijshëm që orët duhet të zëvendësohen.

“Jam i bindur qe komuniteti i mësimdhënësve është i vetëdijshëm për zëvendësin e orëve. Vendimi për mos zëvendësim mund të vije si sugjerim nga kryesia, por besoj shumë në pavarësinë e secilit komunitet të shkollave për të vendosur vet për modalitetet e zëvendësit të orëve, kjo edhe si praktikë nga e kaluara”, tha Qehaj.