Është mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës konferenca “Dialogu publiko-privat në funksion të zhvillimit të sektorit privat”, ku u diskutuan disa nga problemet kryesore me të cilat përballen bizneset vendore.

Derisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pati kritika për odat ekonomike, as këto të fundit nuk kursyen kritikat karshi institucioneve duke thënë se fajtori kryesor për ngecjen në zhvillimin ekonomik të vendit, janë pikërisht ati.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ndjen përgjegjësi që përfaqësuesit e bizneseve janë në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës për të transformuar dhe modernizuar ekonominë e vendit.

“Nuk është politika që të përcaktoj vijat e drejtimit dhe orientimit. Jeni edhe ju. Mund ta arrijmë këtë, jam shumë i sigurt, sepse nëse ne kemi partneritet dhe jo kundërthënie, ne mund për një kohë të shkurtër të kemi një ekonomi më të fuqishme. Ju përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të Odave të bizneseve, kjo varet më së shumti prej jush. Ne mund shumë shpejt të kemi një ekonomi më konkurruese… Duhet të jeni edhe ju vet, me iniciativat e juaja. Sepse ne sot, kemi një gjendje që na rrezikohet qenësisht nga fakti që rinia jonë mund të lëshojë vendin tonë. Ne mund të kemi një degradim demografik. Më shumë kemi pasur banorë në vitin 1981 sesa në vitin 2021. Do të thotë mund të jemi për 100 – 200 mijë më pak dhe kjo është shqetësuese. Duhet të keni ju vendimmarrje më shumë, kjo ka qenë arsyeja që e kemi hapur edhe Zyrën në Kuvendin e Kosovës. Të jem i sinqertë, kam pritë më shumë nga odat ekonomike që të jenë influencues”, tha ai.

I pari i Kuvendit bëri të ditur se janë në procedurë draft-ligji për korporata, draft-ligji për të ardhurat, ai për TVSh-në, për administratën tatimore dhe procedurë si dhe draft-ligji i doganave. Ai siguroi përfaqësuesit e bizneseve që si institucione do të jenë gjithmonë në mbështetje të tyre. Ndërsa kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi tha se problemi më i madh sot në Kosovë është ngecja në zhvillimin ekonomik, derisa adresoi edhe fajtorët për një gjë të tillë. “Ky parlament dhe kjo sallë janë një nga fajtorët kryesor për ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend.

Arsyeja është miratimi i ligjeve pa konsultim paraprak me bizneset. Marrja e ligjeve nga vendet e ndryshme, përkthimi i tyre dhe miratimi i tyre veç sa për sy e faqe, se janë ligje në përputhje me MSA-në, e kanë dëmtuar të bërit biznes dhe e kanë shkatërruar zhvillimin ekonomik. Shembull është nënshkrimi i CEFTA-s pa asnjë kusht, pa mbrojtje të asnjë produkti në kohën kur vendet tjera i kanë të mbrojtura qindra produkte. Sot Kosova ka diferencën më të keqe me eksportin dhe importin, duke importuar 90 përqind e eksportuar vetëm 10 përqind. Askush në Evropë dhe Ballkon nuk e ka këtë. Fajtorë tjetër jemi edhe ne bizneset dhe Odat, që problemet e të bërit biznes nuk kemi arritur t’i dërgojmë në vendin e duhur dhe të luftojnë që gjendja të vijë këtu ku jemi”, tha ai.

E, kryetari i Odës Ekomomike, Berat Rukiqi, tha se me politikat publike, ka lëvizje të lartë të fuqisë punëtore drejt vendeve tjera. “Sot kemi lëvizje masive drejt vendeve. Ka shumë politika ku mund të intervenohet, si politika e eksportit e shumë të tjera,”, tha ai. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të kabinetit qeveritar, ku ministri i Financave, Bedri Hamza para të pranishmëve u shpreh se i kupton shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e bizneseve.

“Nga vlerësimet në vitin 2018 rezultoi se rritja ekonomike do të jetë 4.3. Këtë po e them sepse punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat. E kemi deklaruar në fillim të mandatit se nuk do të ketë tatime të reja dhe norma të reja që e zhvillojnë biznesin… Ka raste që edhe bizneset nganjëherë nuk janë në nivelin e duhur dhe fajin e hedhin te ligji dhe tek implementuesit e ligjit. Nganjëherë presioni i bizneseve është shumë i madh por unë i mirëkuptoj”, tha ai.

E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se është i lumtur që sot Kosova ka arritur të marrë një drejtim të mirë, me gjykatën komerciale. “Themelimi i Gjykatës komerciale do të jetë adresë e cila do ta rrisë efikasitetin e drejtësisë për bizneset. Unë kam marrë qindra kërkesa nga bizneset për lëndët e tyre që vonohen e zgjasin. Jemi duke vonuar në këtë drejtim, që krahas kësaj të trajnojmë edhe gjyqtarët. Ne jemi shumë vonë, por jemi duke punuar që të kemi një gjykatë të qartë ku bizneset do të adresojnë çështjet e tyre”, u shpreh ai.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, tha se prodhuesit kosovarë po hasin në pengesa të shumta.Duke renditur disa nga problemet kryesore, ai tha se edhe ligji për vonesa në pagesa duhet të amandamentohet në mënyrë që shteti të ketë rol më të madh. Edhe përfaqësues të bizneseve parashtruan pyetje dhe adresuan disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen gjatë të bërit biznes në vend.