“Mos prisni përshëndetje speciale”, Musliu i reagon Osmanit për rezolutën e Shqipërisë: Vegël e Albinit, robëreshë e Prindonit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani pasi kjo e fundit nuk e përshëndeti rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt.

Osmani sot u tha gazetarëve se ‘mos prisni përshëndetje speciale për rezolutën”.

Musliu e ka quajtur presidenten Osmani vegël të kryeministrit Albin Kurti dhe robëreshë të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu.

Reagimi i plotë i deputetes Musliu:

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht  rezolutën kundër pretendimeve të Dick Martyt.

Presidentja e Kosovös thotë: Pse t´iu themi faleminderit?

Përgjigja e Vjosa Osmanit, në pyetjen e gazetarëve se përse nuk e kishte përshëndetur rezolutën e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, e shpërfaqë edhe njëherë mjerimin institucional që e ka kapluar Presidencën, Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së  Republikës së Kosovës.

Vjosa Osmani tentoi që t´iu sugjeronte gazetarëve dhe opinionit publik besimin e tyre në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ajo pa u skuqur fare, harroi deklaratat e saj dhe të partnerëve të saj politikë të cilët për një dekadë rresht janë vërsulur mbi çdo vlerë të luftës, kanë akuzuar dhe kanë deponuar dëshmi kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot si bartës të institucioneve kanë zgjedhur të heshtin sepse po u ditka se në çdo frymëmarrje besojnë „në një të vërtetë: Serbia paska qenë agresori“. E megjithatë ajo „viktima e një regjimi gjenocidial“   siç deklaron kjo e vogël, sot Kosova po ballafaqohet me  një gjykim politik të padrejtë dhe të pabarabartë.

Për një vit e gjysmë bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk patën guxim të bëjnë zë. As atëherë kur doli sheshit qëllimi i gjykatës dhe donatorët e saj. As atëherë kur Ushtria jonë çlirimtare u quajt  „organizatë e përbashkët kriminale“, as atëherë kur u dokumentuan shkeljet e të drejtave të njeriut nga prokurori. Reagimet dhe veprimet e institucioneve të Kosovës ishin dhe janë zero.

Vjosa, në përpjekjen e saj për të arsyetuar gjendjen komatoze të institucioneve tona, thotë: ”Kuvendi i Shqipërisë e ka shprehur atë që secili shqiptar në Kosovë e Shqipëri e ka thënë deri sot se lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush. Sepse historinë nuk do të mund ta zhbëjë askush“. Atëherë, Vjosë, pyetja që do të duhej të drejtohej Ty duhet të ishte: A je ti shqiptare Vjosa Osmani? Sepse ti je ajo që gjithë karrierën tënde e ke ngritur duke e mohuar këtë histori; së fundmi edhe në ditën e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, meqenëse po besoni aq fort në këtë pastërti, pse nuk iu drejtove qoftë vetëm njëherë Kuvendit të  Kosovës për këtë çështje?

Sepse Ti, Vjosa Osmani, dhe garda e injorantëve që sot po udhëhiqni vendin tonë, nuk keni guxim dhe nuk keni njerëzi as ta falënderoni Kuvendin e Shqipërisë që bëri  atë që do duhej ta bënim ne.

Sa e vockël je në shpirte dhe në mendje! Vegël e Albinit! Robëreshë e Prindonit!