“Mos ia jep shpejtë, a po të djeg”, gazetarët e ngacmojnë Kurtin gjatë vaksinimit

Kryeministri, Albin Kurti, është vaksinuar i pari në vend me vaksinën Anti-COVID të AstraZenecas.

Në prani të ekipit mjekësor dhe mediave, Kurti ka marrë vaksinën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

E nga gazetarët, ai është ngacmuar gjatë procesit të marrjes së vaksinës.

“Mos ia jep shpejtë, kadale”, “A po të djeg“, janë disa prej tyre që u dëgjuan. Mirëpo Kurti i mori që gjitha me sportivitet, teksa edhe qeshi.

Pas marrjes së vaksinës Anti-COVID, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar për media se me shembullin e tij ka dashur t’i inkurajojë edhe qytetarët tjerë që të vaksinohen dhe të heqin dilemat për vaksinat.

Kurti është shprehur se nuk ka dashur ta shfrytëzojë privilegjin si kryeministër për tu vaksinuar i pari, por për t’i inkurajuar të tjerët.

“Si kryeministër nuk jam këtu që ta shfrytëzojë privilegjin që të vaksinohem por të inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen meqenëse mbrëmë ka ardhur kontingjenti i parë i vaksinave, do të kemi edhe vaksina tjera dhe do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejtë dhe sa më shumë qytetarë të vaksinojmë. Me shembullin tim dua t’i inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm, po përballemi me një pandemi të vështirë dhe zgjidhja përfundimtare është vaksinimi i popullsisë ”, ka deklaruar ai.