Punëtorët e Arsimit në Komunën e Vitisë të shoqëruar nga SBASHK-u, kanë nisur protestën e tyre para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Mësimdhënësit e Vitisë para Qeverisë kanë mbajtur disa thirrje “Edhe Vitia është n’Kosovë”, “Duam pagat tona”
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari para mediave ka akuzuar ministrinë e Financave për mos ekzekutimin e pagesave për punëtorët e Arsimit në Komunën e Vitisë.
Ai ka paralajmëruar edhe grevë në javën tjetër në Viti.
“I lutem që të presin pak. Janë shume te revoltuar dhe java e ardhshme mund ta gjeje Vitinë në grevë. Veprime sindikale mund të ketë edhe në komuna tjera. Punëtoret e arsimit e kanë zërin e tyre qe i mbron. I kam dërguar ministrit Muratit letër, le ti zgjedhin çështjet institucionet, ti procedojnë pagat”, ka thënë Jashari.
Jashari është i shqetësuar se nga kjo gjendje mund të preken edhe komunat e tjera.
“Është mëkat se do të përballen edhe me kamata shtesë, i lus bankat që mos të veprojnë tani dhe mos ti ndëshkojnë sepse qeverisja i ndëshkojë. Kam frike se do preken edhe komunat tjera”, shtoi ai, raporton Ballkani.info.
Kryetari i Sindikatës se Komunës se Vitisë, Kemaj Bislimi, ka treguar se pagesat për mësimdhënësit nuk janë ekzekutuar, ndërsa për këtë gjendje sipas tij “fajin e ka Qeveria e Kosovës”.
“Nuk janë ekzekutu pagat, ne komunë na kane thënë qe faji është tek qeveria. Mësimdhënësit do te presin deri të hënën, do marrim masa tjera. Shqetësimet janë te mëdha. Pjesa e tyre dërmuese me obligime financiare, pastaj janë edhe një moshe e shtyrë”, ka thënë Bislimi./Ballkani.info









