Engjellushe Morina, studiuese, politologe pranë European Council on Foreign Relations, një think-tank pan-evropian, thotë se u bë një lëshim kur çështja e minoritetit serb u bë temë diskutimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Problemet në veri të vendit aktualisht ajo thotë se janë pasoja të kësaj edhe sot e kësaj dite.
“Më 2008 Kosova kishte SHBA-në e Mbretërinë e Bashkuar fuqishëm prapa, por fatkeqësisht nuk e kishte të gjithë BE-në. Disa shtete të BE-së kishin nevojë dhe kanë edhe sot për një bindje më të fortë pse ta pranojnë Kosovën. Kjo e la një çështje shumë të rëndësishme të paadresuar – situata e minoritetit serb në Kosovë”, tha ajo në “Public Square” të Ditmir Bushatit.
Ajo tha se nga periudha 2008 deri në vitin 2011 ndodhen disa zhvillime të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës.
“Vendimi i GJND-së që ishte pozitiv për Kosovën, por pastaj edhe vendimi i OKB-së për të rifilluar një lloj dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për të adresuar çështjen e minoritetit serb në Kosovë dhe këtu mendoj është bërë një lëshim ose gabim i llojit që nuk i leverdisi shtetësisë së Kosovës në asnjë mënyrë dhe pasojat i shohim edhe sot”.
Morina tha se kur u shpall vendimi i GJND-së pozitiv për Kosovën, Serbia ndërmori një fushatë agresive në OKB.
“Në këtë kohë Serbia nisi një fushatë shumë të fortë dhe shumë agresive në nivelin e OKB-së që të adresojë çështjen e statusit të serbëve në Kosovë dhe pati sukses.
Prandaj, OKB doli me një rezolutë që i kërkon BE-së, si një ombrellë rajonale, një organizatë që duhet t’i marrë përsipër zgjidhjen e problemeve në sferën e vet gjeografike, që të fillojë një lloj dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, në këtë moment u hap diskutimi për statusin e Kosovës edhe njëherë.
Ajo tha se Kosova ka bërë disa përparime që nga pavarësimi i saj, por ka edhe shumë probleme.
“16 vjet pas pavarësisë, ka probleme të shumta e disa prej tyre janë shumë serioze. Për shembull, shtrëngimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial i Kosovës mbetet ende njëra prej sfidave kryesore që Kosova ka. Dhe të gjitha klasat politike, prej shpalljes së pavarësisë e tutje, merren kryesisht me këtë problem që është problematikë në vetvete pasi çështje të tjera të rëndësisë së madhe në këtë rast lihen anash. Po i referohem veriut të Mitrovicës dhe procesit të dialogut”.
Ajo shtoi se Kosova shënon rritje pozitive në disa raporte sidomos në normat e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe po ashtu ka rritje ekonomike, por “jo aq sa duhet që Kosova të ecë përpara”.
BONUS VIDEO| Në Mitrovicë zbulohet shtatorja e komandantin legjendar, Adem Jashari







